Fidani i përçmuar – Zoti nuk heq dorë kurrë.

Fidani i përçmuar

Atë më pëlqen ta quaj “fshati i ullinjve”. Ishte viti 2010 kur ullinjtë filluan të mbushnin ato kodra. Normalisht u mbollën si fidanë dhe u deshën disa vite përkujdesje që ato të formonin një trung, ku ky i fundit të mund të ndihmonte degët të jepnin fryt. Zakonisht pema e ullirit kërkon të paktën pesë vite kohë për të dhënë prodhimin e parë, pavarësisht se sa e madhe është bërë pema. Dhe i mbaj mend ato ditë të ftohta të fillimit të dimrit kur njerëzit pa përtesë shkonin në kodra për të mbjellë fidanët e ullinjve.

Para shumë vitesh, në fëmijërinë time, kujtoj fare mirë që ato kodra mbilleshin me bizele dhe bathë, por më vonë shembulli i zotërie bëri që pjesa tjetër e fshatit të mbillte fidanë ulliri. Dhe sot ato kodra janë plot me pemë të mëdha ku çdo fundvit secili mbledh frytin e punës së bërë për vite me radhë. Disa pemë janë për vaj dhe disa për ullinj tryeze.

Sidoqoftë, në vitin 2010, ndërsa familja ime po mbushte kodrën e saj me fidanë, në pjesën e pasme të shtëpisë së gjyshes qëndronte në heshtje një fidan ulliri shumë i vogël, historinë e të cilit e mësova këtë fundjavë kur shkova që ta vilja.

Zakonisht, pasi hahej një vakt ushqimi, mbulesa e tavolinës shkundej në oborrin e pasmë të shtëpisë. Dhe pesëmbëdhjetë vite më parë në atë pjesë u hodhën disa fara ulliri, ku njëra nga farat u ça nën dhe dhe mbiu një fidan. Askush nuk e vuri re në fillim dhe askush nuk e punonte atë pjesë të shtëpisë. Kështu, ai fidan u shkel disa herë nga njerëzit që kalonin aty. Jo vetëm kaq, por askush nuk e mbuloi atë në kohën e shirave rrebesh apo në kohën e ngricës e dëborës.

Të gjithë e përçmuan dhe menduan ta shkulnin

Ndërkohë që të gjithë e përçmuan dhe menduan ta shkulnin për ta hedhur në plehra, gjyshja ime, e mori atë fidan dhe e vuri në mes të oborrit të pasmë, duke e punuar tokën dhe duke i hedhë pleh në kohën e duhur për disa vite. Fidani i përçmuar filloi të rritej e të hidhte trup, por prapë të gjithë thoshin që duhej prerë sepse vetëm sa zinte vendin kot. Por gjyshja ime vazhdonte të kujdesej për të.

Megjithëse kaluan pesë vite, fidani i përçmuar ishte kthyer në një pemë të vogël nuk kishte dhënë asnjë fryt. Kaluan edhe disa vite të tjera dhe prapë asgjë. Gjyshja ime vazhdonte me përkujdesjen e saj për pemën. Të tjerët thoshin se ishte ulli i egër dhe nuk vlente për asgjë.

Para pak vitesh ajo pemë filloi të jepte pak fryt dhe atë fryt që jepte ishte i pavlerë. Pavarësisht përkujdesjes në çdo kohë, prapë nuk mund të konsumohej. E megjithatë gjyshja ime nuk hoqi dorë.

Javën e kaluar ajo na telefonoi e na kërkoi që të shkonim ta vizitonim dhe ta ndihmonim që të vilte ullirin në oborrin pasmë të shtëpisë. Kur shkova atje, pashë një pemë të madhe dhe të mbushur plot me kokrra të shëndetshme ulliri. Gjyshja tha që e kishte vjelë një pjesë, por ajo pemë kishte prodhuar sa për tre-katër pemë. Mbeta pa fjalë. Gjyshja vazhdoi të më thoshte që duhet durim dhe punë e vazhdueshme me pemën, derisa ajo të forcohet dhe të ushqejë veten e saj. Për të pesëmbëdhjetë vite punë ia vlenin për frytin që ajo pemë jepte tashmë.

Pesëmbëdhjetë vite punë për një pemë që të gjithë thoshin se duhej prerë…

Pesëmbëdhjetë vite punë për një pemë që të gjithë thoshin se duhej prerë… Pikërisht kjo pemë më bëri të mendoja për lutjet dhe punën që bëjmë për veten dhe të tjerët. Nuk e di për ju, por shpesh kam patur këtë pyetje në mendje; “A do të jem ndonjëherë si Ti, Zot? Sepse më duket sikur sa më shumë të njoh, më pak e ngjashme bëhem me Ty?”. Ose a ju ka ndodhur ndonjëherë të thoni për dikë tek i cili keni investuar shumë por pa parë fryt: “A do bëhet ndonjëherë ky njeri? Ky njeri nuk ka për t’u ndrequr kurrë?”.

A keni hequr dorë nga vetja dhe nga të tjerë? Perëndia nuk e ka bërë. Ai nuk heq dorë kurrë. Nëse Ai nuk heq dorë, por ne pse duhet ta bëjmë? A nuk është Ai që e bën punën me anë të Frymës? Nuk është Ai që bën që “pema” të japë fryt? A jemi ne duart dhe këmbët e Perëndisë? A nuk është Fryma që nëpërmjet nesh ndërton? Perëndia është Autori dhe Plotësonjësi i vërtetë. A nuk është Perëndia Ai që e përfundon punën e nisur?

Duhet punë e vazhdueshme dhe durim për pemët që na janë besuar. Përfshi këtu veten tonë, dhe besim te Krijuesi që është ende në fron.

Ti a po punon dhe a po investon? Apo ke hequr dorë?

“A ka vallë diçka që është e pamundur për Zotin?”
Zanafilla 18:14

Nga “Një zemër falenderuese”.

Ndani përshtypjet tuaja me ne

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
Rreth Radio 7

Radio 7 hyri në tregun radiofonik shqiptar si një media që sjell një këndvështrim pozitiv për jetën! Radio 7 është një zë pozitiv përmes përzgjedhjeve muzikore të përditshme, programeve informative, educative dhe sociale. Ne përdorim parimet biblike në thelb të përmbajtjes së programeve tona, me dëshirën për të parë një shoqëri shqiptare ku vlerat mbrohen. Stafi dhe programet e realizuara i japin një rëndësi të veçantë mirëqënies fizike, emocionale dhe shpirtërore të çdo personi.

Licensuar në nëntor te vitit 2001, Radio 7 fillon transmetimet në 17 maj 2002 me një transmetues në malin e Dajtit, nga një studio modeste dhe me pjesën më të madhe të stafit si vullnetarë.

Është quajtur Radio 7 sepse simbolika biblike e numrit 7 është “dita e pushimit dhe paqes fizike dhe shpirtërore.” Nëpërmjet transmetimeve të saj Radio 7 kërkon t’ju jap dëgjuesve pushim dhe paqe pavarsisht se sa e zhurmshme është dita në qytetet ku jetojmë.

Radio 7 transmeton në Tiranë në frekuencën 97.7 fm, e duke filluar që nga vitet 2005-2007 jane shtuar 2 transmetues te rinj, nje ne Ardenice me qellim mbulimin me sinjal te ultesires perendimore dhe nje tjeter ne Petresh per mbulimin me sinjal te zones se Elbasanit. Sot Radio 7 transmeton ne tre frekuenca, 97,7 FM ne Tirane, 102,3 ne Elbasan dhe 88,2 ne Ardenice. Ne vitin 2009, Radio 7 ka filluar transmetimet ne internet ne www.radio-7.net.


Free!

REGJISTROHUNI