Shumica prej nesh e kanë dëgjuar shprehjen “Durimi është një virtyt”. Sigurisht, durimi është një tipar fisnik dhe i dëshirueshëm, por a është ai vetëm kaq? Për njeriun, a nuk është durimi një domosdoshmëri? Kultura jonë nuk e vlerëson durimin për atë që është.
Pse duhet të jesh i duruar? Kur gjërat realizohen menjëherë është më bukur! Ndoshta nuk e dije se kur i marrim gjërat menjëherë nuk marrim bekime e “të priturit”.
Çfarë do të thotë durim?
- Durim do të thotë të presësh në qetësi
Libri i vajtimeve në vargun 3: 25-26 thotë, ” Zoti është i mirë me ata që kanë shpresë tek ai, me shpirtin që e kërkon. Gjë e mirë është të presësh në heshtje shpëtimin e Zotit.
Çfarë do të thotë të presësh në heshtje dhe pa ankesë? Në këtë rast ne zihemi ngushtë sepse duhet të pranojmë se na kanë dëgjuar duke rënkuar prej padurimit kur drita e kuqe e semaforit nuk kthehet e gjelbër aq shpejt sa duam ne. Për çfarë tjetër akohemi kur na duhet të presim? Ndoshta për radhët e gjata në dyqan. Apo për Bankomatin e ngadaltë? Por kështu a po japim shembull sa i përket pritjes në heshtje, apo po sigurohemi që të gjithë ta kuptojnë sa të bezdisur jemi? Kjo është një ftesë për të reflektuar më shumë sot mbi durimin.
- Durim do të thotë të presësh me etje
Bëji pyetjen vetes: A po pres me padurim? Apo po pres me një zemër të hidhur? Më mirë të mos presësh nëse zemra është e hidhëruar.
- Durim do të thotë të presësh deri në fund
Hebrenjve 6:15 thotë: “Dhe kështu Abrahami, duke pritur me durim, fitoi premtimin. Abrahami priti me durim Perëndinë për ta çuar në Tokën e Premtuar, por a të kujtohet udhëtimi që bëri ai për në tokën e premtimit? Tek Zanafilla 15: 5, Perëndia i tha Abramit se pasardhësit e tij do të ishin po aq të shumtë sa yjet në qiell. Në atë kohë, “Abrahami i besoi Zotit, dhe kjo iu llogarit për drejtësi.”
Por në fillim Abrahami u lodh duke pritur, ndoshta durimi i tij ishte i dobët. Bibla nuk na tregon se çfarë mendonte, por kur gruaja e tij, Sara, sugjeroi që Abrahami të kishte një fëmijë me robinjën e saj, Hagar, Abrahami ra dakord. Nëse lexon Zanafillën, do të shohësh se nuk i shkoi aq mirë Abrahamit kur i mori gjërat në duart e veta dhe nuk priti premtimin e Zotit. Pritja nuk prodhon automatikisht durim. Ndaj duhet ta kultivojmë këtë virtyt.
- Durim do të thotë të presësh me shpresë
Perëndia na jep një vizion dhe pastaj Ai na zbret në luginë për të na dhënë formën e atij vizioni. Në luginë shumë prej nesh heqin dorë. Por çdo vizion i dhënë nga Perëndia do të bëhet real në qoftë se do të kemi vetëm durim”. Ne e dimë nga Filipianëve 1:6 se Perëndia do të përfundojë atë që fillon. Dhe Psalmisti gjithashtu na nxit që të vazhdojmë t’i kërkojmë Perëndisë edhe kur jemi duke pritur, duke shkruar ” O Zot, ti në mëngjes dëgjon zërin tim; në mëngjes do ta lartoj drejt teje lutjen time dhe do të pres.”(Psalmi 5:3)
- Durim do të thotë të presësh me gëzim
Bibla shkruan “Ta konsideroni një gëzim të madh, o vëllezër të mi, kur ndodheni përballë sprovash nga më të ndryshmet, duke e ditur se sprova e besimit tuaj sjell qëndrueshmëri. Dhe qëndrueshmëria të kryejë në ju një vepër të përsosur, që ju të jeni të përsosur dhe të plotë, pa asnjë të metë.” (Jakobi 1: 24) Nganjëherë karakteri ynë ka defekte të thella që nuk mund t’i shohim, por Perëndia mundet. Dhe Ai nuk ka për ti injoruar ato. Butësisht dhe vazhdimisht, Ai na nxit, duke na ndihmuar të shohim mëkatin tonë. Perëndia nuk heq dorë. Ai është i durueshëm me ne, edhe kur ne nuk jemi të durueshëm me Të. Natyrisht, është më e lehtë nëse dëgjojmë dhe bindemi që herën e parë, por Perëndia nuk do të ndalojë pastrimin e popullit të tij derisa të arrijmë në qiell. Ti duhet të jesh i gëzuar që Perëndia po punon në jetën tënde. Ai po rrit një fryt të mirë te ti!
- Durim do të thotë të presësh me hir për veten
Kjo është më e lehtë të thuhet sesa të bëhet, apo jo? Të presësh me durim nuk është e lehtë dhe Perëndia e di këtë. Lajm i mirë është se nuk duhet të presësh vetëm. Romakëve 8: 25-26 thotë: “Por në qoftë se ne shpresojmë atë që s’e shohim, atë gjë e presim me durim. Kështu, pra, edhe Fryma na ndihmon në dobësitë tona, sepse ne nuk dimë çfarë të kërkojmë në lutjet tona, sikurse duhet; por vetë Fryma ndërhyn për ne me psherëtima të patregueshme.” Perëndia jo vetëm që të thotë të durosh, por Ai gjithashtu të ndihmon në dobësinë tënde. Nuk mund të jemi të duruar vetëm duke u përpjekur më shumë. Durimi është fryt i Frymës, jo i joni. Prandaj, na duhet ndihma e Frymës që ta forcojmë atë në jetën tonë.
Ajo për të cilën nuk duhet të presim
Ka shumë gjëra me vlerë që duhen pritur, dhe shumë gjëra për të cilat duhet të jemi më të duruar, por ka një gjë për të cilën nuk duhet të presim. Kjo është njohja e Jezusit si Zot dhe Shpëtimtar i jetës tënde. Nëse nuk e ke njohur nevojën për një Shpëtimtar dhe nuk e ke deklaruat Jezusin si Zot të jetës tënde, mos prit edhe një ditë tjetër.