“Mos mundo asnjë grua të ve, as ndonjë jetim.” - Eksodi 22:22
Kur lexojmë te libri i Eksodit, kapitujt 21 deri në disa kapituj më poshtë dhe në disa vende të ndryshme te Levitiku, shohim shumë lloj ligjesh që Perëndia i jep popullit të Tij në Dhiatën e Vjetër. Nëse do të ndaleshim për të folur se cilat nga ligjet e Perëndisë gjejnë zbatim te njerëzit sot, do të duhej shumë kohë. Rregulli i përgjithshëm është që të shohim ligjet nga Dhiata e Vjetër që përsëriten në Dhiatën e Re. Shumë nga ligjet që jepen këtu te Eksodi dhe Levitiku gjejnë zbatim specifikisht për popullin e Perëndisë, për popullin e Izraelit, në Dhiatën e Vjetër, nën besëlidhjen e vjetër. Ne lexojmë në Dhiatën e Re dhe ku janë urdhërimet nga Jezusi, në besëlidhjen e re?
Ja pse lexova kapitullin 22, vargun 22, te Eksodi, sepse urdhërimi është ky: “Mos mundo asnjë grua të ve, as ndonjë jetim.”. Prandaj ne duhet të ndalojmë dhe të pyesim: “Mirë, a thotë Dhiata e Re ndonjë gjë për të vejat apo jetimët?”. Për këtë na flitet te Jakobi 1, vargu 27, dhe urdhërimi kalon në një nivel krejtësisht tjetër. “Feja e pastër dhe e patëmetë përpara Perëndisë, Atit, është kjo: të vizitosh jetimët dhe të vejat në shtrëngimet e tyre dhe ta ruash veten të panjollë nga bota.”.
E dëgjuat këtë? Ajo që na mëson Dhiata e Re, ajo që Perëndia thotë në besëlidhjen e re është kjo: “Feja e pastër dhe e patëmetë përpara Perëndisë, Atit, është kjo: të vizitosh jetimët dhe të vejat në shtrëngimet e tyre dhe ta ruash veten të panjollë nga bota.”. Kështu pra, ne e dimë që ky urdhërim në Dhiatën e Vjetër për të vejat dhe jetimët te Eksodi, kapitulli 22, vargu 22, nuk ishte vetëm për popullin e Perëndisë. Por është edhe për njerëzit sot. Unë dhe ju jemi thirrur nga Perëndia si populli i Tij që të marrim përgjegjësi për t’u kujdesur për të vejat dhe jetimët.
Perëndi, ne lutemi që të na ndihmosh si popullin Tënd sot, të sjellë në familjen Tënde si bij me anë të gjakut të Jezusit, të lidhur me Ty. Zoti Jezus, ne jemi nusja. Ndaj lutemi si nusja, si bijtë e Tu para Teje si Atin tonë. Na ndihmo të kujdesemi me besnikëri për jetimët dhe vejushat që kemi pranë.
Perëndi, unë lutem për djalin që ne do të birësojmë dhe që e kemi pritur për një vit për ta sjellë në shtëpi, por ende nuk kemi mundur për shkak të kovidit. Perëndi, ne lutemi që edhe të tjerët të na bashkohen në lutje para Teje që Ti të na ndihmosh si kishën Tënde që të kujdesemi për jetimët në dëshpërimin e tyre. Dhe lutemi që të kujdesemi për fëmijët që janë në nevojë për një familje, që të marrim përgjegjësi dhe të sigurojmë një familje për ta. Na ndihmo që të ngrihemi si kisha Jote dhe të jemi populli Yt, të tregojmë dhembshurinë dhe dashurinë Tënde si Ati i jetimëve, për ata që janë në nevojë për një familje dhe për prindër, me qëllim që ata të shohin dashurinë Tënde për ta, për ne dhe për kishën Tënde. Perëndi, na ndihmo me përkujdesin e fëmijëve dhe me birësimin.
Perëndi, ne lutemi edhe për të vejat pranë nesh. Ne lutemi për burrat dhe gratë që kanë humbur partnerët e tyre, që kanë përjetuar lëndim dhe dhimbje, dhe që tani përjetojnë vetmi. Perëndi, ne lutemi që të përdorim Fjalët e Tua, që të mund të jemi një përshkrim i hirit Tënd, i mëshirës dhe i dashurisë Tënde. Unë lutem që ata të ndjejnë ngushëllimin Tënd, edhe tani që ne po lutemi për ta.
Dhe Zot, unë e kam parë se si kisha Jote është treguar e mirë me nënën time që nga koha që im atë ndërroi jetë. Të falënderoj shumë për familjen e Perëndisë. Të falënderoj për vëllezërit dhe motrat, për nënat dhe baballarët frymërore që e kanë ndihmuar familjen tonë dhe kanë ecur me nënën time. Perëndi, unë lutem për çdo të ve që po dëgjon tani. Na ndihmo që të dimë se si të kujdesemi më së miri për to. Ne lutemi që të na ndihmosh të kujdesemi me besnikëri për jetimët dhe të vejat në dëshpërimin e tyre, dhe me këtë të të lavdërojmë Ty përmes fesë së pastër, sipas Fjalës Tënde në Dhiatën e Re. Në emrin e Jezusit lutemi, amen.