Dhe kështu Abrahami, duke pritur me durim, e arriti premtimin. (HEBRENJVE 6:15)
Perëndia i premtoi Abrahamit trashëgimtar, por atij iu desh të priste shumë më shumë nga sa mund të imagjinonte. Vargu për sot thotë se Abrahami “priti me durim.” Gjatë kësaj kohe, jam e sigurt se iu desh t’i kujtonte vetes herë pas here premtimin fillestar të Perëndisë. Periudhat e gjata të pritjes mund të na bëjnë të dyshojmë nëse vërtet kemi dëgjuar prej Perëndisë. Ndoshta po pret diçka dhe ke nevojë që t’i kujtosh vetes se çfarë të ka vendosur në zemër Perëndia në krye të herës.
Dyshimi dhe mosbesimi e sulmuan Abrahamin dhe kur kjo ndodhi, ai falënderoi dhe lavdëroi. Kur Satani sulmon, nuk duhet të qëndrojmë pasivë, pa vepruar. Duhet ta luftojmë atë dhe gënjeshtrat e tij duke i kujtuar Fjalën e Perëndisë dhe premtimet që na ka bërë Ai. Thuaji me zë të lartë, medito për to dhe shkruaji. Kur Habakuku po priste Perëndinë, Perëndia e udhëzoi t’i shkruante vizionet qartë mbi rrasa, që çdokush që do të kalonte aty, të mund t’i lexonte (shiko Habakuku 2:2). Ndoshta në Dhiatën e Vjetër, ky ishte një version afishimi!
Lufto luftën e mirë të besimit, rrok jetën e përjetshme. Pavarësisht se si mund të ndihesh tani, mos u dorëzo sepse Perëndia është besnik, dhe ashtu si e përmbushi në kohën e caktuar premtimin që i bëri Abrahamit, Ai po ashtu do ta mbajë fjalën që të ka dhënë ty.
FJALA E PERËNDISË PËR SOT: Kur flet me miqtë, mos fol me tepri për mënyrën se si ndihesh; tregoju atë që thotë Fjala e Perëndisë.