Ndërsa ne nuk i drejtojmë sytë ndaj gjërave që duken, por ndaj gjërave që nuk shihen, sepse gjërat që duken janë për një kohë, kurse ato që nuk shihen janë të përjetshme. – 2 e Korintasve 4:18
Bibla na mëson se dhimbja nuk është humbje. Jo vetëm që nuk është humbje, por ka dhe një shpërblim për të. 2 e Korintasve 4:17 thotë: “Sepse trishtimi ynë i lehtë që është vetëm për një moment, prodhon për ne, një peshë të pamasë e të pashoqe të amshueshme lavdie.” Ne e dimë se jo gjithmonë problemet tona janë të lehta dhe momentale por kur i mbajmë sytë nga përjetësia, barra e tyre bëhet më e lehtë. Shpërblimi, lavdia e përjetshme, është të jesh në praninë e Perëndisë përgjithmonë. Vuajtjet tona në Tokë na afrojnë çdo ditë e më shumë drejt asaj lavdie. “Prandaj nuk na lëshon zemra; por, edhe pse njeriu ynë i jashtëm shkon në shkatërrim, ai i brendshëm përtërihet nga dita në ditë.” (2 e Korintasve 4:16).
Kjo është shpresa e gjithë besimtarëve të krishterë; ndryshe nga çdo fe tjetër. Tim Keller thekson, “Krishterimi na mëson se, ndryshe nga fatalizmi, vuajtja është dërrmuese; ndryshe nga Budizmi, vuajtja është reale; ndryshe nga karma, vuajtja është shpesh e padrejtë; por ndryshe nga laicizmi, vuajtja ka kuptim. Ka një qëllim për të, dhe nëse përballemi me të ashtu siç duhet, do të zhytemi thellë në dashurinë e Perëndisë dhe si rezultat do të jemi më të fortë dhe të qëndrueshëm.
Çdo i krishterë ka njeriun e brendshëm “të përtërirë” që jeton nën drejtimin e Frymës së Shenjtë. Ai na pregatit të durojmë në vuajtje, me sytë tanë të fiksuar drejt përjetësisë me Perëndinë. Nëse dhimbja juaj sot nuk është e lehtë dhe as momentale, dijeni se nuk do të jetë pa shpërblim.