Lexo: Gjoni 15:12-13
Tani të gjithë së bashku!” thirri Amanda. Ajo dhe gjyshi u ulën në pjesën e pasme të një varke me pedale; motra e saj, Xhesika, dhe gjyshja u ulën në pjesën e parme. Ata filluan të pedalonin të gjithë së bashku.
Ata po kalonin një kohë të këndshme, por kur Xhesika u lodh, ajo i ngriti këmbët e saj. Për njëfarë kohe gjyshja vazhdoi të pedalonte, por më pas edhe ajo ndaloi.
“Kam nevojë t’i çlodh pak gjunjët,” tha gjyshi disa minuta më vonë. Ai i shtriu këmbët e tij anash varkës, duke e lënë Amandën të pedalonte e vetme. “Kjo është shumë e vështirë duke qenë se të gjithë ju hoqët dorë,” murmuriti Amanda. Ajo ndaloi së pedaluari dhe shumë shpejt varka ndaloi.
Ata e shijuan ndalesën për disa çaste; më pas gjyshi u drejtua dhe tha: “Pedalimi është më i vështirë nga ç’duket, por a jeni gati të gjithë që t’i përvisheni sërish punës? Po nuk punuam së bashku, do të rrimë këtu ulur gjithë ditën.”.
“Po, dhe mua po më merr uria,” tha Xhesika. Ajo ngriti këmbët dhe filloi të pedalonte. Të tjerët bënë të njëjtën gjë, dhe shumë shpejt ata u kthyen në dokun lundrues të varkave. “U kënaqëm, përveç pjesës ku m’u desh të pedaloja e vetme.” tha Amanda, ndërsa po shkonin në restorant,
Gjyshi buzëqeshi dhe i tha: “Kjo më kujton një varg nga Bibla. Galatasve 6:2 thotë: ‘Mbani barrët e njëri-tjetrit.’. Si mund ta bëjmë këtë?”.
“Duke pedaluar të gjithë,” tha Xhesika me shpejtësi. Gjyshi pranoi: “Ke të drejtë. Pa dyshim, kjo është mënyra e duhur kur jemi në një varkë me pedale. Cilat janë disa mënyra të tjera që na ndihmojnë të mbajmë barrët e njëri-tjetrit? Ashtu si… epo, mendoni për zotin dhe zonjën Shoni, për shembull.”
“Ata duan që t’i vizitojmë duke qenë se rrinë në shtëpi,” tha Xhesika. “Gjithashtu i pëlqejnë ëmbëlsirat që ne iu japim.” Amanda pohoi me kokë dhe sugjeroi: “Ne mund t’iu dërgojmë kartolina e të lutemi për ta, por këtë mund ta bëjmë edhe për të tjerë që nuk mund të dalin nga shtëpia.”.
Gjyshja shtoi: “Vajza e familjes Shoni gatuan për ta dhe iu pastron shtëpinë. Unë di që ajo e vlerëson të gjithë ndihmën që njerëzit iu japin prindërve të saj të moshuar.”
“Do të ishte e vështirë për të nëse do të kujdesej krejt e vetme për ta,” tha Xhesika.
“Është njësoj si ta pedalosh varkën vetëm,” u ankua Amanda. Ajo qeshi. “Mund të shoh se duke punuar së bashku jeta bëhet më e lehtë në çdo lloj situate.”
A njeh ndonjë fëmijë që po kalon një kohë të vështirë? Mbase dikush ka qenë sëmurë, prindërit e tij mund të kenë humbur punën ose detyrat e shkollës janë të vështira për të. Lutu për këta fëmijë, ofro ndihmën tënde për detyrat e shtëpisë, ftoji në shtëpinë tënde dhe sigurohu që t’iu tregosh atyre se Jezusi i do. Ashtu si drejtohet një varkë me pedale, jeta është më e lehtë kur njerëzit punojnë së bashku dhe e ndihmojnë njëri-tjetrin.
Punoni së bashku!