Në vitin 2018, Nico Battaglia përballet me një luftë të ashpër kundër një tumori që prek gjuhën e tij. Pas një operacioni të rëndësishëm, terapive dhe një procesi të gjatë rehabilitimi, Nico nuk dorëzohet dhe pas rreth një viti e gjysmë fillon të këndojë përsëri. Nga ky udhëtim i veçantë dhe i dhimbshëm lind albumi i tij i fundit, i regjistruar drejtpërdrejt në Puglia më 23 Nëntor 2019.
Në një intervistë ekskluzive për programin Krash në Radio 7, Nico tregon: “Dy vitet e fundit nuk kanë qenë të lehtë, por mund të them tani pas dy vitesh se jam mirë. Fiziku im është mirë, zemra ime është mirë dhe shikoj drejt së ardhmes, me besim dhe shpresë. Është e qartë që kur një mjek shikon ekzaminimet dhe të thotë që ke tumor malinj, një karçinom në një stad të avancuar, në ato çaste është e vështirë të përpunosh këtë informacion. Nuk jemi aspak gati që të marrim lajme të tilla. Ndjesia ime e parë ishte frika. Frika për t’u përballur me një patologji të rëndë. Frika se nuk arrin të shohësh qartë të ardhmen. Por në rastin tim, vuajtja u shtua nga fakti që ky tumor preku një pjesë të rëndësishme të trupit tim, gjuhën time. Provova të imagjinoj se si do të dukej e ardhmja ime, po të mos kisha më mundësi të këndoja dhe sikur çdo gjë të shkonte mirë. Ndërsa dëgjoja këtë fjalë, ‘tumor’ ndjeja frikën që donte të zinte vend në zemrën time. Por gati në mënyrë të pavullnetshme thërrisja brenda meje një fjalë tjetër, ‘Zot’. Mendoja për Zotin tim ishte një thirrje jo vetëm për ndihmë, por ishte një mënyrë për të thirrur jetën mbi vdekjen”.
Ndërsa e kemi pyetur Nicon se si ka qenë për të të lavdëroj Zotin, atëherë kur nuk mund të fliste ai thotë:
“Periudha e rehabilitimit tim zgjati një vit. Gjatë këtij viti kurimi dhe rehabilitimi, unë kam vazhduar të lavdëroj Zotin. Por ka qenë një lavdërim ndryshe, më pëlqen ta përkufizoj si lavdërim të heshtur. Një lavdërim që e dëgjonte vetëm Zoti. Një lavdërim privat, një lavdërim që më përkiste vetëm mua dhe Zotit. Por në këtë kohë unë kam hedhur në letër gjithë reflektimet e mia, mendimet dhe emocionet e mia. Kështu lindën këto këngë, që më pas i ndava në këtë album që titullohet ‘Unë këndoj akoma’. Ky album është një thirrje fitoreje, një thirrje shprese, një thirrje besimi. Është rezultati i rrugëtimit që kam kaluar me mundim dhe çaste vuajtjeje, por me mbështetjen e besimit në Zotin Jezus.”
Albumi më i ri i Nico Battaglia përmban trembëdhjetë këngë të pa publikuara më parë, të shkruara nga Nico gjatë periudhës së tij të rehabilitimit. Ndër titujt më të spikatur janë këngë si: Nel Nome di Gesu, C’e un Tempo, Primo Paso, Io Canto ancora dhe të tjera.
Nico e mbylli intervistën me një inkurajim për të gjithë ata që përballen me sëmundje që u kërcënojnë jetën.
“Unë besoj vendosmërisht se përpara se të përjetojmë një mrekulli që i kërkojmë Zotit, duhet të përjetojmë paqen. Të përjetojmë paqen, do të thotë t’i besojmë plotësisht Zotit, të mbështetemi tek ai dhe kur i beson Zotit dhe ajo paqe e mbinatyrshme hyn brenda teje, aty fillon një proces shërimi. Shumë gjëra do të na fshihen, nuk do të mundemi kurrë të kuptojmë gjithçka. Unë akoma nuk kuptoj shumë nga gjërat që kam jetuar, por për mua një gjë është e sigurt, që planet e Zotit janë dhe mbeten të përsosura, ndonëse ndonjëherë janë të pakuptueshme. Prandaj si njerëz të besimit duhet të mësojmë ti besojmë Zotit. Ti besojmë sovranitetit të tij,t’i besojmë faktit se ai nuk na lë dhe nuk na braktis kurrë”, thotë Nico Battaglia.