Të përjetosh lavdinë e Krishtlindjes!

Ne soditëm lavdinë e tij, si lavdia e të vetëmlindurit prej Atit, plot hir e të vërtetë. Gjoni 1:14

Fjala greke doxa ( doksa) është e njëjta fjalë, që merr pjesë në formimin e fjalës doksologji në shqip. Megjithë këtë studiuesit e Biblës e kanë të vështirë të shpjegojnë se ç’është në të vërtetë lavdia e Perëndisë.

Roy Brill, ishte një misionar veteran dhe një folës në konferenca. Ai ishte një burrë i perëndishëm me flokë të bardha e kjo e bënte që të dukej si patriark. Një ditë ne po flisnim dhe unë e pyeta, “ A e kupton se çfarë është lavdia e Perëndisë?”  Ky burrë i Perëndishëm, filloi të skuqej si një djalosh i vogël që e kanë pyetur për diçka që supozohet ta dijë, por për të cilën nuk mund të përgjigjet. Pastaj më tha, “ Për më shumë  se 50 vite jam përpjekur që të kuptoj lavdinë e Perëndisë, e unë ende nuk e kam arritur plotësisht këtë gjë. “ A mundet dikush që të kuptojë lavdinë e Perëndisë?

Barinjtë që gjendeshin në fushat jashtë Bethlehemit nuk e kuptonin lavdinë e Perëndisë, por pastaj ata u takuan me të. E njëjta gjë ndodhi edhe me Roy Brill. Ka disa gjëra të mrekullueshme që përjetohen në jetë , gjëra që nuk mund t’i shpjegosh plotësisht. Përpiqu të përshkruash aromën e një trëndafili, apo freskinë e ajrit të një mali të lartë ndërkohë që dielli ngrihet në qiell nga lindja.  Përpiqu të shpjegosh mrekullinë e buzëqeshjes së një fëmije, apo më thuaj me saktësi se çfarë është dashuria.

Disa gjëra është më mirë t’i përjetosh sesa t’i shpjegosh.  Kështu është edhe me lavdinë e Perëndisë. Ata ishin barinj të thjeshtë, të pashkolluar, njerëz të përkushtuar në punën e tyre. Këta njerëz punëtorë ishin të privilegjuar të përjetonin lavdinë e Perëndisë kur engjëjt deklaruan se një Shpëtimtar do të lindte në qytetin e Bethlehemit.

Në librin ,Të Transformuar Nga Lavdia e Tij, Charles Ryrie thotë, “Lavdia e Perëndisë ka kuptimin që i gjithë shkëlqimi, rëndësia dhe madhështia e Perëndisë të shpërfaqen në një mënyrë ose në një tjetër.”

Diçka është e  sigurt: kur një njeri mëkatar takohet me të Gjithëpushtetshmin dhe me lavdinë e Tij, jeta e tij nuk ka për të qenë më njësoj. Bariu që përjetoi lavdinë e atyre Krishtlindjeve të Para, shkoi dhe adhuroi fëmijën që kishte lindur në Bethlehem, e më pas nisi të shpërndajë Fjalën se Perëndia kishte dërguar një Shpëtimtar, e se ai kishte ardhur si një fëmijë i sapolindur atë natë që ky bari qëndronte jashtë Bethlehemit.

Diferenca midis lavdisë së Perëndisë dhe konceptit tonë njerëzor mbi lavdinë, është se lavdia e Perëndisë është e lidhur me karakterin dhe personin e  Tij, që përfshin shenjtërinë  dhe natyrën e Tij. Për shembull, kur Isaia pati një takim të mrekullueshëm me Perëndinë dhe kur pa lavdinë e Tij, ai menjëherë thirri, “I Shenjtë, i shenjtë, i shenjtë është Zoti i ushtrive. Tërë toka është plot me lavdinë e tij” ( Isaia 6:3).

Lavdia e Krishtlindjes që preku jetët e barinjve të përulur kur gjendeshin në fushat jashtë Bethlehemit, është ende me ne. Unë e shoh atë në jetët e grave dhe burrave që lejojnë Perëndinë të prekë jetët e tyre përmes Birit të Tij Jezus Krishtit. Unë shoh burra dhe gra që kanë njohur vetëm zemërimin dhe hidhësinë dhe që kanë mësuar butësinë.

Kam parë koracën e fortë të jetës që të zhvishet teksa Fryma e Shenjtë ndryshon një person duke e transformuar egoizmin e tij në mirësi. Kam parë lavdinë e Perëndisë të reflektojë në jetët e njerëzve të zakonshëm që kanë ndryshuar nga Fryma  e Perëndisë.

Dëshiron që të shohësh lavdinë e Perëndisë? Atëherë shko tek faqet e Dhiatës së Re dhe kërkoji Perëndisë që të prekë jetën tënde me lavdinë e Tij. Shko tek Ai me pritshmëri dhe besim, e do të kuptosh se jeta jote nuk ka për të qenë më njësoj. Lavdia e Perëndisë që prek njerëzit është akoma forca më e madhe në botë.

Ndani përshtypjet tuaja me ne

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
Rreth Dr. Harold J. Sala

Folësi, autori dhe mësuesi i Biblës Dr. Sala, ka themeluar Guidelines në vitin 1963. Programi i tij i përditshëm Koment për jetën, dëgjohet në mbarë botën në gjuhë të ndryshme. Sala është autori i 60 librave në 19 gjuhë të ndryshme. Ai flet dhe mëson shpesh në konferenca dhe seminare në kishat në mbarë botën.


Free!

REGJISTROHUNI