Romakëve 14:13-23.- Edhe pse kemi liri në Krishtin, apostulli Pal është i shpejtë të shtojë se të krishterët e fortë kanë përgjegjësinë të sigurohen që liria e tyre të mos bëhet pengesë për besimtarët e dobët. Pali e quan të bukur këtë lloj sjelljeje të përulur dhe vetëmohuese—shenja e besimtarit të pjekur.
Krishti na shpengoi nga skllavëria e natyrës sonë njerëzore për të mos jetuar si të duam, por në çdo gjë të marrim në konsideratë atë që i sjell lavdi Krishtit. Kjo na jep liri – lirinë për të mos mëkatuar. Nëse ndonjë nga veprimet tona bën që dikush tjetër të pengohet, atëherë nuk e bëjmë atë gjë. Në këtë mënyrë u shërbejmë motrave dhe vëllezërve tanë në Krishtin. Kjo është liria e vërtetë.
Qëllimi ynë është të imitojmë Jezusin, atë që na bashkon. Ai që, megjithëse ishte plotësisht Perëndi, hoqi dorë nga shkëlqimi, lavdia dhe liria e Tij për t’u bërë një shërbëtor i përulur dhe për të bërë vullnetin e Atit të Tij. Pra, kur tundoheni të thoni: “Jam lodhur duke i shërbyer familjes, kishës sime dhe fqinjit tim”, shikoni Jezusin. Të fokusohesh te Jezusi do të thotë që je i gatshëm të japësh jetën për mikun tënd. Do të thotë që je i gatshëm dhe i lirë të sakrifikosh rehatinë, preferencat dhe kënaqësitë e tua – sepse kjo është ajo që Ai bëri për ne.
Lutje: Zot, më trego dhe më hap syë të shikoj nëse bëhem pengesë për dikë tjetër. Më jep përulësi dhe liri që të sakrifikoj preferencat e mia për t’i ndërtuar dhe dashur më mire motrat dhe vëllezërit e mi. Lutem në emër të Jezusit. Amen.
“Prandaj të mos e gjykojmë më njeri tjetrin, por më tepër gjykoni këtë: mos i vini gur pengese ose skandal vëllait.”–Romakëve 14:13.