Gjatë gjithë Biblës, nga Zanafilla te Zbulesa, Babilonia është një simbol për atë se çfarë do të thotë të jetosh në armiqësi me Perëndinë. Ky reputacion i dyshimtë lindi kur banorët e Babilonisë thanë: “O burra, të ndërtojmë për vete një qytet dhe një kullë maja e së cilës të arrijë deri në qiell”. (Zanafilla 11:4).
Me anë të kësaj deklarate, filloi një kundërshtim i mirëorganizuar njerëzor ndaj Perëndisë. Nënkuptimi i metaforës së babilonasve, “arrijë deri në qiell”, nënkupton se maja e kullës së tyre do t’i kushtohej adhurimit të trupave qiellorë. Në Babiloni lindi astrologjia, besimi se yjet dhe planetët ndikojnë në punët dhe ngjarjet njerëzore në Tokë, dhe u përhap në të gjithë botën.
Pas katërqind vitesh skllavëri në Egjipt, edhe hebrenjtë kishin filluar të praktikonin astrologjinë. Kur Zoti i nxori nga Egjipti, Ai i paralajmëroi që të mos adhuronin yjet (shih Ligji i Përtërirë 18:9-13). Në realitet, ata që shohin te yjet për çelësin e fatit të tyre, po adhurojnë Djallin dhe forcat e tij demonike.
Vini re metodat që djalli përdor. Pasi u flak nga parajsa, Satani i mashtroi Adamin dhe Evën që të dyshonin në Zotin dhe arriti t’i dëbonte nga Kopshti i Edenit. Pastaj Satani e mashtroi Kainin që të adhuronte në mënyrën e tij dhe jo në mënyrën e Zotit, gjë që çoi në vrasjen e Abelit dhe përfundimisht në shkatërrimin masiv të jetës nga përmbytja. Pastaj Satani i mashtroi pasardhësit e Hamit që të adhuronin zodiakun—në fakt adhurimin e demonëve—duke shkaktuar kështu shkatërrimin e tyre.
Satani gjithmonë mbjell mashtrim dhe konfuzion. Ai i bind njerëzit të marrin diçka të dhënë dhe ta kthejnë atë në një idhull. Kur njerëzit nuk adhurojnë Zotin, ata përqafojnë perëndi të rreme, me qëllim ose jo.
Lutje: Zot, ti na ke paralajmëruar të mos adhurojmë perëndi të rreme. Më ndihmo të shmang tundimin për të kërkuar dhe këshilla nga praktikat mashtruese të botës. Në vend të kësaj, ktheje zemrën time drejt së Vërtetës së Fjalës Tënde. Në emër të Jezusit lutem. Amen.
” sepse duke ngritur sytë në qiell dhe duke parë diellin, hënën, yjet, të tëra, domethënë tërë ushtrinë qiellore, ti të mos nxitesh të biesh përmbys përpara këtyre gjërave dhe t`u shërbesh, gjërave që Zoti, Perëndia yt, u ka dhënë tërë popujve që ndodhen nën të gjithë qiejtë”. (Ligji i Përtërirë 4:19).