Fjalët e urta, kapitulli 3, vargjet 23 deri në 26. Dëgjoni këtë premtim, kur kemi frikën e Zotit dhe kur marrim dituri prej Tij. Bibla thotë: “Atëherë do të ecësh i sigurt në rrugën tënde dhe këmba jote nuk do të pengohet. Kur do të biesh për të fjetur, nuk do të kesh frikë; po, do të biesh dhe gjumi yt do të jetë i ëmbël. Nuk do të druash llahtarën e papritur, as shkatërrimin e të pabesëve kur do të ndodhë, sepse Zoti do të jetë pranë teje dhe do të pengojë që këmba jote të kapet në ndonjë lak.”
C’siguri ka paracaktuar Perëndia për jetën tonë! Në një botë ku asnjë nga ne nuk e di se cfarë do të ndodhë një moment më pas, apo të nesërmen, apo ditën tjetër, në një botë ku gjërat që mund të ndodhin janë të panumërta, si mund të biesh për të fjetur dhe të kesh një gjumë të ëmbël? Si mund të shtrihemi, pa pasur frikë, sidomos në një botë të padrejtë dhe me gjëra të këqija rreth nesh? Por, ja siguria që Perëndia na premton neve, si njerëzit e Tij. Ai thotë: “Kur ti i mban sytë tek Unë, kur ecën me frikën Time, kur më beson Mua, ti do të ecësh i sigurt. Këmba jote nuk do të kapet në ndonjë lak.”
Ai po flet për jetën e drejtë, kur ne ecim dhe rendim pas Perëndisë. Atëherë, nuk do të pengohemi nga e keqja. Ne po ndjekim Perëndinë dhe si rezultat i kësaj, kur të biem në shtrat, nuk kemi arsye për t’u frikësuar. Ne mund të bëjmë një gjumë të ëmbël, sepse e thënë me fjalët e Fjalëve të urta, kapitujt 3, 5 dhe 6, ne po i besojmë Perëndisë me gjithë zemrën tonë dhe nuk po mbështetemi në gjykimin tonë. Dhe ndërsa njohim Perëndinë, Ai po i bën rrugët tona të drejta, që ne të mos i druhemi llahtarës dhe as shkatërrimit të të pabesëve, sepse Perëndia është siguria jonë. Ai na mban që të mos shkojmë drejt së keqes, kur ne ecim në frikën e Tij, duke i besuar Atij me gjithë zemër.
Perëndi, unë lutem, ne lutemi për këtë lloj sigurie në jetën tonë. Na ndihmo ta përjetojmë këtë moment pas momenti, ditë pas dite, rregullisht. Na ndihmo të ecim në frikën Tënde. Na ndihmo të ecim në rrugën e së mirës para nesh dhe ndërsa ecim, na ndihmo të bëjmë një gjumë të ëmbël natën. Na ndihmo të shtrihemi pa frikë, sepse Ti je siguria jonë. Ti nuk do të lejosh që këmba jonë të kapet në ndonjë lak. Na ndihmo, Perëndi. ne lutemi që në këto rrugë, të ecim në dituri dhe urtësi dhe që si rezultat i kësaj, të prehemi në Ty. Në emër të Jezusit ne lutemi, Amen.