Në qoftë se ju, që jeni të këqij, dini t`u jepni dhurata të mira bijve tuaj, aq më tepër Ati juaj, që është në qiej, do t`u japë gjëra të mira atyre që ia kërkojnë.- Mateu 7:11
Kur Richard Smith foli në një seminar mbi qasjen e këshillimit të krishterë, ai foli për faktin se u krijuam sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë, por zemra e njeriut është e shthurur dhe e ligë. Një pastor e kundërshtoi, duke ndjerë se e kishte tepruar me atë që tha. Kur Richard shpjegoi atë që thotë Bibla për të dyja tablotë, pastori iu përgjigj: «Varet se nga cila anë e kalit do të zbresësh.» Duke kur e mendoj tani, thotë Richard: “Duhet t’i kisha dhënë këtë përgjigje: “Po pse më mirë nuk qëndrojmë mbi kalë?” Realiteti është se të dyja anët e medaljes janë të vërteta.
Po të shikoni fytyrën e pafajshme të një foshnjeje në gjumë, duket qartë që jemi krijuar sipas shëmbëlltyrës së Zotit, por vetëm dy vjet më pas, do të shikojmë të njëjtin fëmijë t’ia marrë lodrën nga dora një fëmije tjetër, ose do shtyjë sa andej këndej për të marrë atë që ka fëmija tjetër, themi: “Prisni pak! Ndoshta ky fëmijë nuk është aq ëngjëll sa ç’menduam.”
Për shekuj me radhë, libri më i vjetër, Bibla, ka përshkruar me saktësi atë që Richard Smith po përpiqej të thoshte: se njerëzimi ka rënë, se të dyja e keqja dhe shthurja ekzistojnë në zemrën e njeriut. Si t’a shpjegojmë ndryshe rrjedhën e historisë, kafshëria ndaj të tjerëve, poshtërsia dhe e keqja që kanë tejmbushur burgjet dhe kanë rrënuar shtëpitë tona? Si të shpjegohet ndryshe ajo çka ndodh në korridoret e spitaleve dhe të gjykatave?
Kur Xhorxh Bush foli për “boshtin e së keqes”, preku interesat e shumë njerëzve të cilët u shprehën: “Ua! Ai e ka tepruar.” Ajo që ai po përshkruante është se ekziston një vijë ndarëse që e ndan jetën në dy sfera: të së mirës dhe së keqes. Edhe pse e kundërshtuan duke bërtitur “Faull!” nuk mund t’i jepnin një përgjigje tjetër.
Çfarë është e keqja? Nëse e keni të vështirë t’a përkufizoni atë, pyesni veten se çfarë është e mira dhe më pas vizatoni një vijë 180 gradë në të kundërtën e asaj që keni përshkruar. Dhe kështu keni përcaktuar të keqen.
Çështja nuk është vetëm morale. Na pëlqen apo jo, është edhe teologjike. Në Bibël gjenden mbi 400 referenca që flasin për të keqen. Bibla e përshkruan të keqen si një mashtrim i vogël që filloi në Kopshtin e Edenit dhe u shndërrua në një lumë të madh e pa kufij duke u përhapur në të gjithë botën, duke përfunduar me rënien e Babilonisë ose me rënien e sistemit botëror të përshkruar në librin e Zbulesës.
Kur ndodhi përmbytja, Perëndia tha se tërë synimet e mendimeve të zemrës së tyre nuk ishin gjë tjetër veçse e keqja në çdo kohë. (shih Zanafilla 6:5). Dhe ajo që mund të mos e keni vënë re kurrë është se teksti thotë se synimet e zemrës së njeriut janë të këqija qysh në fëmijërinë e tij (shih Zanafilla 8:21).
Jezusi sfidoi skribët e korruptuar të kohës së Tij duke u thënë. “ Pse mendoni gjëra të mbrapshta në zemrat tuaja? (Mateu 9:4).
E keqja është pjesë e planit të shpengimit, sepse po të mos ekzistonte e keqja, nuk do të kishte pasur nevojë për falje, shpëtim dhe shpengim.
Realiteti është se mëkati është i keq dhe ajo që është e keqe është mëkat. Termi “boshti i së keqes” sugjeron një rreshtim filozofik ose politik të keqbërësve, megjithatë e njëjta e keqe që është endemike në zemrat e më të këqijve është embrioni në zemrat e më të mirëve.
Siç ka thënë pastori gjerman Reinhold Niebuhr, “Enigma përfundimtare e historisë nuk është se si do të fitojnë të drejtët mbi të padrejtët, por si të kapërcehet e keqja me të mirë dhe padrejtësia me drejtësi”. E vetmja zgjidhje kërkonte vdekjen e Birit të Perëndisë, i cili një ditë do të kthehet sërish dhe do ta pastrojë botën nga e keqja. Deri atëherë, e mira dhe e keqja do të bashkëjetojnë së bashku, dhe ju takon juve të vendosni se në cilën anë do të qëndroni.