Me avancimet e shpejta që ka pasur teknologjia, thuajse gjithçka mund ta bëjmë në mënyrë shumë komode prej shtëpisë. Tanimë mund të blesh nga dyqanet online pa qenë e nevojshme që të dalësh , të komunikosh me miqtë dhe të afërmit e tu nëpërmjet një ekrani, e madje edhe të punosh njësoj si në zyrë dhe nga ambientet e shtëpisë.
Edhe pse përfundimisht teknologjia ofron rehati dhe kemi shumë përfitime prej përdorimit të saj, ajo ka gjithashtu efektet e saj negative në jetën tonë. Teknologjia të mban mbyllur brenda. Por ne do t’ju japim disa nga arsyet, se përse është shumë e rëndësishme që të shëtisim.
Vitamina D
Ndryshe nga vitaminat e tjera, vitamina D, nuk përfitohet lehtësisht nëpërmjet ushqimit, sepse vetëm pak ushqime natyrore e përmbajnë atë. Pjesa më e madhe e njerëzve e marrin vitaminën D nga drita e Diellit. Në fund të fundit vitamina D, quhet ndryshe “vitamina e shkëlqimit të Diellit”. Kur rrezet UVB të dritës së diellit prekin lëkurën tuaj, ato kthejnë kolesterolin e ruajtur në lëkurën tuaj në vitaminë D3.
Vitamina D ndihmon të absorboni kalciumin nga ushqimi që keni marrë dhe kjo ju ndihmon që të keni kocka më të forta dhe më shumë fuqi. Në mungesë të vitaminës D trupi juaj do të vuajë nga demineralizimi i kockave, që çon në sëmundje si osteoporoza.
Përveç rritjes së kockave, vitamina D ndihmon në rritjen e qelizave, në funksionin neuromuskular e në imunitet, duke reduktuar inflamacionin. E vetmja mënyrë që ju ta merrni vitaminën D nëpërmjet Diellit, është duke u ekspozuar pa pasur asnjë krem mbrojtës. Për të shmangur rrezikun e kancerit të lëkurës nga ekspozimi në Diell, mund ta reduktoni atë në 10-15 minuta.
Të shëtisësh redukton stresin dhe rrit zhvillimin e shëndetit mendor
Studime të ndryshme tregojnë se nëse ekspozohemi në natyrë, kjo është një mënyrë e shkëlqyer për të larguar stresin. Një nga arsyet për këtë është aroma e pjesës më të madhe të pemëve dhe të luleve.
Aroma e jaseminëve, trëndafilave dhe livandës, është provuar se ndikon në uljen e nivelit të stresit dhe siguron qetësi dhe të relakson. Gjithashtu është vënë re se edhe aroma e freskët e pishës, ul nivelin e stresit dhe redukton depresionin. E njëjta gjë ndodh edhe kur marrim ajër të freskët.
Studimet tregojnë se natyra në përgjithësi ndryshon gjendjen emocionale të njerëzve. Njerëzit që jetojnë përreth apo pranë natyrës, duket se kanë më shumë aktivitet në zonat e trurit që janë përgjegjëse për qëndrueshmërinë, empatizmin dhe dashurinë.
Ndërsa njerëzit që kalojnë pjesën më të madhe të kohës së tyre në ambiente të ndërtuara nga dora e njeriut, është vënë re se kanë më tepër aktivitet të trurit në zonat përgjegjëse të frikës dhe stresit.
Pra natyra ka një efekt terapeutik mbi trupin dhe jo vetëm që redukton stresin, por edhe rrit nivelin e energjisë, ndërkohë që promovon zhvillimin e memories dhe rrit vëmendjen. Të dalësh në natyrë gjithashtu do të ndihmojë që të zhvillosh një këndvështrim pozitiv mbi jetën.
Të ecësh parandalon sëmundjet
Nëse rrini brenda, është mundësia shumë e lartë që të qëndroni ulur. Studimet kanë treguar se qëndrimi për një kohë të gjatë ulur, është i lidhur me zhvillimin e disa sëmundjeve të caktuara, si diabeti 2 dhe disa sëmundje kardiovaskulare. Gjithashtu qëndrimi për një kohë të gjatë ulur, duket të ketë lidhje me vdekshmërinë e parakohshme.
Të dalësh jashtë shtëpisë gjithashtu të inspiron që të lëvizësh. Do e shihni se është më e këndshme dhe më e thjeshtë që të ushtroheni jashtë.
Gjithashtu duket se nëse dilni, sistemi juaj imunitar rritet. Kjo ndodh falë vitaminës D dhe rrugës natyrale që përdor trupi për të zhvilluar mbrojtjen kundër infeksioneve dhe kundër viruseve e bakterieve.
Të kalosh kohë në natyrë ju ndihmon të luftoni inflamacionet dhe të parandaloni edhe sëmundje të tilla si kanceri. Një studim ka treguar se studentët dhe pacientët që kanë kaluar kohë në pyll, kanë pasur nivele më të ulëta të inflamacioneve të ndryshme, krahasuar me ata që jetojnë në qytet.
Edhe vetëm disa orë jashtë apo një udhëtim në natyrë që do të zgjaste rreth një javë, mund të ketë një efekt të shkëlqyeshëm terapeutik dhe shërues mbi trupin tuaj, ndaj mundohuni që të largoheni nga ekranet e telefonit, lini edhe rehatinë e shtëpisë suaj dhe eksploroni bukurinë e natyrës.