Disa njerëz besojnë se nëse kanë një nivel të caktuar pasurie, atëherë do të kenë paqe – ose nëse martohen me personin e duhur, do të jenë të lumtur. Të tjerë gabimisht besojnë se nëse do të jetonin në një vend ideal ose të kenë një pozicion të mirë në punë, atëherë do të kenë arritur majat.
Megjithatë, asnjë nga këta skenarë nuk është në gjendje të sigurojë paqen dhe lumturinë që dëshirojmë të përjetojmë. Paqja e vërtetë vjen vetëm si rezultat i të jetuarit të një jete të mbushur me Frymën e Perëndisë nëpërmjet marrëdhënies me Jezu Krishtin. Duke u mbështetur tek Isaia 26:3, Charles Spurgeon shkroi: “Perëndia i paqes u jep paqe të përsosur atyre, zemrat e të cilëve qëndrojnë tek Ai.”
Mund të përpiqemi të arrijmë paqe përmes arritjeve dhe punës së palodhur. Mund ta kërkojmë kudo – në përvojat e reja, zotërimet ose llogaritë bankare me idenë se do të sjellin paqe. Megjithatë, përveç Zotit, në asnjë vend nuk do të gjejmë paqe të qëndrueshme.
Për të përjetuar paqen e Perëndisë, së pari duhet të kemi paqe me Perëndinë, e cila vjen vetëm nëpërmjet dorëzimit të plotë ndaj Krishtit si Zot dhe Shpëtimtari ynë. Pasi marrim shpëtimin, mund të përjetojmë paqen e Perëndisë. Një aktore e famshme dikur u ankua se kishte gjithçka që ka dashur, por jo paqe. Ka disa gjëra që paratë nuk mund t’i blejnë dhe paqja është një prej tyre.
Para vdekjes së Tij, Jezusi i ngushëlloi dishepujt e Tij me këto fjalë: “Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time: unë po jua jap, po jo si e jep bota; zemra juaj mos u trondittë dhe mos u frikësoftë.” –Gjoni 14:27.
Ne, gjithashtu, mund të gjejmë paqen dhe ngushëllimin që na nevojitet në kujdesin e Tij të përjetshëm.
Lutemi: Zot faleminderit, për paqen që më ofron si fëmijën tënd. Bota kurrë nuk mund të më ofrojë paqen që gjendet vetëm tek Ti. Lutem në emër të Jezusit. Amen.
“Dhe paqja e Perëndisë, që ia tejkalon çdo zgjuarësie, do të ruajë zemrat tuaja dhe mendjet tuaja në Krishtin Jezus.” –Filipianëve 4:7.