Unë di të jem i përunjur dhe di të jetoj edhe në bollëk; në çdo vend dhe për çdo gjë jam mësuar të nginjem dhe të kem uri, të kem me tepri dhe të vuaj në ngushticë Unë mund të bëj gjithçka me anë të Krishtit që më forcon . Filipianët 4:12-13
Themeluesi i një gazete të rëndësishme, e kishte për zakon që në faqen e tij editoriale të vendoste këtë tezë: “ Nuk ka shpresë për njeriun që është i kënaqur.” Ai kishte të drejtë, sepse pjesa më e madhe e arritjeve që janë bërë shekullin e kaluar kanë ardhur si pasojë, se dikush ka qenë i pakënaqur, e nuk ka dashur që t’i pranojë gjërat ashtu siç janë. Disa kanë besuar se gjërat mund të shkonin edhe më mirë se aq. Thuajse të gjitha arritjet, në mjekësi, në shkencë, në letërsi, e në arte kanë ardhur sepse njerëzit nuk kanë qenë të kënaqur me gjendjen aktuale.
Te qenit i kënaqur në gjendjen aktuale, me sa duket se është armiku i progresit. Në pjesën më të madhe të rasteve ne mendojmë për një person që nuk është i kënaqur me gjendjen e tij, si dikush që nuk pëlqen asgjë, por kjo nuk është domosdoshmërish e vërtetë. Ti mund të dëshirosh të ndryshosh dhe përmirësosh gjërat, ndërkohë që qëndron i kënaqur dhe në paqe me veten dhe me Perëndinë në një botë jo perfekte.
A është e mundur kjo? Unë besoj se po. Më lër të të tregoj se si. Pali, shkruesi i 13 librave në Dhiatën e Re, personit që i detyrohemi shumë frymërisht, ishte një nga njerëzit më të pakënaqur që ka njohur historia, e megjithatë ai kishte një ekulibër frymëror që e mbante atë larg nga të rënit në ankth dhe në presionin e jetës. Gjithkush që studion jetën e tij, bie dakord se Pali ka qenë një njeri që kërkonte më shumë.
Në letrën e tij drejtuar kishës në Filipi ai thotë kështu, “Jo se unë tashmë e fitova çmimin ose jam bërë i përsosur, por po vazhdoj të rend për ta zënë, sepse edhe unë u zura nga Jezu Krishti.” Ai gjithashtu ishte i pakënaqur me jetën e tij personale- gjithmonë donte t’i bënte gjërat më mirë. Pali shpesh ndjente se më e mira e tij, nuk ishte mjaftueshëm e mirë.
Në letrën e tij drejtuar Filipianëve ai përmend gjërat me anë të cilave mund të mburrej- prejardhja e familjes së tij, arritjet akademike, prestigji i tij në botë, intelekti i tij, e megjithatë ai thotë , “Gjërat që më ishin fitim, i konsiderova, për shkak të Krishtit, humbje.” Pakënaqësia e tij me veten dhe me botën rreth tij e motivoi atë që të ecte, të bënte më shumë gjëra, të shkonte edhe në një tjetër udhëtim. Por pyetja e madhe është: “ Në një botë që nuk është perfekte, a është e mundur që të jesh i kënaqur?” Pali thotë se po.
Në po të njëjtën letër ku ai flet për pakënaqësinë e tij, ai thotë, “Unë di të jem i përunjur dhe di të jetoj edhe në bollëk; në çdo vend dhe për çdo gjë jam mësuar të nginjem dhe të kem uri, të kem me tepri dhe të vuaj në ngushticë. “ Nga pikëpamja logjike kënaqësia dhe pakënaqësia nuk shkojnë bashkë. Vetë Pali na mëson se si të përballemi me to. Në fjalinë që vijon ai shkruan, “Unë mund të bëj gjithçka me anë të Krishtit që më forcon”
Ja pra çfarë na tregon: i pakënaqur me rrethanat negative, e sërish i kënaqur në këto rrethana për shkak të prezencës të Jezus Krishtit që banon vazhdimisht në ne. Pali foli mbi këtë sekret, nëse mund ta quajmë kështu, kur ai u shkroi Galatasve, “Unë u kryqëzova bashkë me Krishtin dhe nuk rroj më unë, po Krishti rron në mua; dhe ajo jetë që tani jetoj në mish, e jetoj në besimin e Birit të Perëndisë, që më deshi dhe dha veten për mua” ( Galatasit 2:20-21).
Dy parafjalët janë ato që bëjnë ndryshimin- me dhe në. Kur gjëra të këqija ndodhin, ti je i pakënaqur me rrethanat, me njerëzit që të kanë zhgënjyer , me thyerjet e forta shpirtërore dhe zhgënjimet. Por, ti mund të jesh i kënaqur në kohë ankthi dhe vështirësie, duke e ditur se besimi yt shkon përtej zhgënjimit tënd. Do të mund të shohësh përtej dhembjes së zemrës që shpesh të shkakton dhembje koke dhe dështim nervash. Ky ishte sekreti i Palit, e ky mund të bëhet edhe sekreti yt.