Lexo:Psalmi 91:1-4
Klara doli me vrap nga autobusi i shkollës dhe filloi të kërcente jashtë në shi para derës së shtëpisë së saj. Por sapo hapi derën, më mirë të ishte kthyer në autobus. Nga shtëpia u dëgjuan zëra të inatosur. Klara shtrëngoi nofullat nga zhurma e babait dhe e nënës së saj që po grindeshin sërish.
Pasi e hodhi çantën e shpinës në korridor, Klara doli jashtë duke menduar: “Ata po bërtasin më shumë se zakonisht. Përse grinden gjithnjë? Nuk dua t’i dëgjoj!”
Për t’i larguar fjalët e rënda, Klara vrapoi në oborr për tek koteci i pulave dhe u fut brenda tij për të mos u lagur nga shiu. Lotët i rrodhën faqeve, ndërsa u ul kruspull mbi një grumbull kashte në një qoshe të kotecit.
Megjithëse Klara nuk e dëgjonte më zërin e prindërve të saj që grindeshin, ulërima e tyre jehonte gjithnjë e më shumë në zemrën e saj, derisa filloi të dridhej nga të qarat. “Sa do të doja që ata të mos grindeshin,” mendoi Klara kur mori frymë thellë. Ajo ndihej e vetmuar. Thjesht donte që familja e saj të ishte e lumtur. Në shtëpinë e tyre nuk kishte asnjëherë paqe kur prindërit e saj nuk merreshin vesh së bashku.
Klara vështronte pulat ndërsa uleshin në kotecin e tyre. Dëgjohej një zhurmë e lehtë kashtës në anën tjetër të kotecit. Një pulë së fundmi kishte çelur disa zogj. Klara vuri re disa sqepa të vegjël të pushverdhëve që dilnin nga krahët e nënës së tyre. Ajo e dinte që krahët e pulës po i mbanin ngrohtë zogjtë e vegjël në atë ditë të ftohtë.
Ndërsa po shihte zogjtë, Klarës iu kujtua një shënim kartoline që mësuesja e shkollës të së dielës i kishte dhënë asaj. “Ti do të gjesh strehë nën krahët e Tij!” thuhej në kartolinë. Klara e dinte që ky ishte një varg nga Bibla. Mësuesja e saj i kishte shpjeguar se e krahasonte Perëndinë me kujdesin e një klloçke për zogjtë e saj, por kujdesi i Perëndisë është edhe më i madh.
Klara u lut: “I dashur Jezus, ndihem e vetmuar! Kur mami dhe babi grinden, kjo më lëndon brenda meje. Më vjen mirë që mund të vij tek Ti kur jam e trishtuar, dhe tani kështu ndihem. E di që Ti ke premtuar se nuk do t’i braktisësh asnjëherë fëmijët e tu. Faleminderit që je gjithnjë me mua, pavarësisht se çfarë ndodh. Më ndihmo të ndihem e sigurt nën krahët e Tu, edhe kur familja ime nuk është e lumtur.” Klara filloi të ndjejë paqe kur kujtoi premtimin e Perëndisë për besnikërinë dhe dashurinë. Ajo e dinte se nuk do të ishte asnjëherë vetëm.
A grinden prindërit e tu apo anëtarët e tjerë të familjes? A ndihesh ndonjëherë sikur askush nuk e di se çfarë po kalon? Perëndia e di dhe të do. Ai dëshiron që të shkosh tek Ai për të kërkuar ndihmë, ashtu si zogjtë fshihen nën krahët e nënës së tyre. Tregoji Perëndisë se si ndihesh. Mësoji përmendësh vargjet biblike që të kujtojnë dashurinë dhe besnikërinë e Tij. Gjej një të rritur me të cilin mund të ndash shqetësimet e tua. Gjithnjë kujto që Jezusi nuk do të të lërë asnjëherë vetëm.
Mesime shume te cmuara! Faleminderit!