Lexoni Lukën 24:30-35. Kur arritën në destinacionin e tyre në qytetin Emaus, dy dishepujt ftuan mikun e tyre të ri të hynte brenda dhe të hante një vakt me ta. “Dhe, siç ishte në tryezë me ta, mori bukën, e bekoi dhe, si e theu, ua ndau atyre. Atëherë atyre iu çelën sytë dhe e njohën, por ai u zhduk prej syve të tyre.” (Luka 24:30- 31).
A e kuptuat? Kur e ftuan Jezusin brenda, gjithçka ndryshoi. E njëjta gjë është e vërtetë edhe sot. Kur ju e ftoni Jezusin e ringjallur në jetën tuaj si Shpëtimtarin dhe Zotin tuaj të vetëm, Ai nuk hyn thjesht dhe ulet; por merr kontroll. Kur u fut në këtë shtëpi, Ai nuk qëndroi si mysafir; por si mikpritës. Vini re se ishte Jezusi ai që mori bukën, falënderoi dhe e theu. Kjo është puna e të zotit të shtëpisë. Po kështu, kur Ai vjen në jetën tuaj, Ai nuk vjen si mysafir. Ai vjen si Shpëtimtari dhe Zoti juaj. Ai ju transformon. Ai sjell gëzimin e Tij në rrethanat ku e keni humbur gëzimin. Ai sjell fitoren e Tij në jetën tuaj të humbur. Ai e sjell fuqinë e Tij në vendet ku ju ndiheni të pafuqishëm. Ai do t’ju çlirojë nga çdo gjë që ju pengon të jetoni në dritën e ringjalljes së Tij fitimtare dhe tuajën që do të vijë.
Pasi këta dy dishepuj njohën Jezusin e ringjallur, frika u largua dhe morën guxim, dhimbja u kthye në gëzim,dhe dëshpërimi në shpresë. Mjerimi i tyre u shndërrua në mision. Ata u ngritën, megjithëse ishte natë, dhe u nisën për në Jeruzalem. Edhe pse ishte një rrugë shumë e rrezikshme, nuk mund të ndaleshin. Kishin një mision të rëndësishëm për të bërë. Kishin një lajm të mirë për të dhënë. Ata e dinin se duhet t’u tregonin të tjerëve se çfarë kishte ndodhur. Sepse e kishin parë Zotin e ringjallur me sytë e tyre. Kishin ecur me Të dhe kishin folur me Të, dhe Ai u kishte shërbyer zemrave të tyre.
Kur zbuloni shpresën e vërtetë në planet dhe premtimet e Perëndisë, pikëllimi juaj do të shndërrohet në shërbesë. Lutuni që jeta juaj, që tani derisa Ai t’ju thërrasë në shtëpi, të jetë një jetë me qëllim dhe gëzim – pavarësisht se çfarë sfidash mund të vijnë.
Lutje: Atë, faleminderit për dhuratën e Birit Tënd dhe thirrjen e jashtëzakonshme për të shkuar dhe për të shpallur shpëtimin e Tij për ecurinë e Mbretërisë Tënde. Faleminderit që më transformove dhe më ke dhënë besim e kurajo me dashamirësinë Tënde. Lutem në emër të Jezusit. Amen.
“Në po atë çast u ngritën dhe u kthyen në Jeruzalem, ku e gjetën të njëmbëdhjetët dhe ata që ishin mbledhur bashkë me ta.” (Luka 24:33).