Lexo: Jakobi 2:14-18
“Mami, eja të shohësh se çfarë gjeta!” Osea e tërhoqi nënën e tij nga dora dhe e drejtoi në oborrin pas shtëpisë. Ai tregoi me gisht një kuti të madhe.
Nëna pa brenda saj. “Tre qenushë!” klithi ajo.
“Po. I gjeta në kanal. Mund t’i mbajmë?” Osea heshti. “Mendon se kanë shumë kohë që janë larguar nga nëna e tyre?” pyeti ai i shqetësuar.
“Jo dhe aq, por kanë nevojë që të ushqehen sa më shpejt,” tha nëna, duke përkëdhelur një qenush të zi leshator. “Do të ngroh pak qumësht dhe do të shohim nëse do të mund ta pinë dot. Dhe jo, nuk mund t’i mbajmë, të paktën jo të gjithë, por do të bëjmë më të mirën tonë për t’iu gjetur atyre një shtëpi.”
Pasi qenushët pinë qumësht, Osea e vendosi me kujdes kutinë në garazh dhe më pas u kthye në kuzhinë. “I dua shumë qentë,” i tha ai nënës. “Jam i gëzuar që edhe ti i do.” Osea qeshi. “Të gjitha kafshët më pëlqejnë.”
“E di që të pëlqejnë të gjitha,” tha nëna. “Sjellja jote e tregon këtë.” Ajo buzëqeshi. “Kjo më kujton mësimin që mora të javën e shkuar në shkollën e së dielës. Mësimi ishte nga Letra e Jakobit, ku thuhej që besimi ynë shihet nga veprat tona. Kur me të vërtetë i besojmë Perëndisë, ne e tregojmë besimin tonë me gjërat që bëjmë.”
“Çfarë gjërash?” pyeti Osea.
“Po ja,” tha nëna, “nëse ti do të zemëroheshe sepse nuk ke marrë diçka që ke dashur, a tregon kjo se ti i beson Perëndisë?” Osea mohoi me kokë. “Po kur lutesh për një ditë të bukur që të shkosh piknik dhe më pas të mos e vrasësh mendjen fare e të zemërohesh kur nuk ndodh kështu?” Osea mendoi për këtë dhe më pas tundi kokën.
Pikërisht atëherë nëna dhe Osea dëgjuan derën e makinës së babait që u përplas. “Është shumë e çuditshme që…” nisi të thoshte babai kur hyri në dhomë një minutë më pas. “Mendova se dëgjova një angullimë në garazh.” Ai uli çantën e tij. “Bëj mirë të shkoj të shoh njëherë.” Osea kërceu në këmbë. “Eja me mua, babi,” tha ai. “Do të ta shpjegoj unë.” Osea e drejtoi babanë për tek garazhi.
Nëna buzëqeshi kur dëgjoi zërin e Oseas ndërsa ai dhe babai po ktheheshin. “Kështu… unë them që i dua kafshët dhe mami thotë që këtë e tregoj me gjërat që bëj, me mënyrën se si i trajtoj ato,” tha Osea. “Edhe unë them që besoj tek Perëndia duke e treguar këtë me vepra.” Ai i buzëqeshi të atit. “Besoj se kjo do të thotë që veprat tona flasin vetë për ne,” shtoi Osea. “Ato duhet t’u tregojnë njerëzve që ne e duam Perëndinë.”
Cila është ajo gjë që të pëlqen me të vërtetë shumë? Mos është një kafshë, një sport i caktuar apo një hobi? Mbase miqtë e tu e dinë se çfarë të pëlqen sepse ti e kalon një pjesë të kohës duke lexuar për të, duke parë ose duke luajtur një lojë të caktuar, ose duke folur për atë që të intereson. E dinë këta njerëz që ti gjithashtu je i krishterë, duke e treguar këtë me sjelljen, me atë që lexon dhe me mënyrën se si e kalon kohën? Një thënie e vjetër thotë: “Veprat flasin më fortë se fjalët.”. Është e vërtetë! Bëj diçka sot për të treguar besimin tënd tek Perëndia.