Jozefi kaloi vite i mbyllur në një birucë egjiptiane. Ndërsa ai nuk kishte bërë asgjë për të merituar burgimin, Perëndia e dinte se besimi i Jozefit duhej të vihej në provë. Perëndia do t’i përmbushte premtimet e Tij, por së pari Ai donte të rriste besimin e Jozefit—duke e forcuar atë me praninë e Tij në çdo rrethanë. Jozefi nuk iu shmang dorëzimit personal. Ai e dinte se nëse do ta bënte, do të rrezikonte të humbiste vullnetin dhe qëllimin e Perëndisë për jetën e tij—kështu që iu drejtua Zotit.
Nëse Zoti ju ka lejuar të gjendeni në një vend të vështirë – lutuni. Por mos u lutni vetëm për një rrugë shpëtimi. Në vend të kësaj, lutuni që të gjeni kënaqësi në Zotin pavarësisht nga rrethanat. Nëse ka nevojë për disiplinë, jini të gatshëm të mësoni në mënyrë që të përjetoni bekimet e Perëndisë.
Përpjekja për të manipuluar vullnetin e Zotit nëpërmjet lutjes nuk funksionon kurrë. Në vend të zgjidhjes së problemit, kjo mund të çojë në zhgënjim. Prandaj, le të zgjedhim t’i besojmë Perëndisë dhe të presim përgjigjen e Tij.
Do të ketë raste kur mendojmë se nuk mund të përballemi me një gjyq tjetër ose edhe me një minutë më shumë persekutimi. Jezusi i kupton dobësitë tona. Natën e arrestimit të Tij, Ai u lut: “Ati im, në qoftë se nuk është e mundur që kjo kupë të largohet prej meje pa u pirë prej meje, u bëftë vullneti yt!“. (Mateu 26:42). Më parë, Ai i kishte mësuar dishepujt e Tij të luteshin, “U bëftë vullneti [Yt]”, në mënyrë që ata të dinin se si t’ia dorëzonin vullnetin e tyre Perëndisë, ashtu siç Ai ia kishte nënshtruar të Tijat .
Perëndia i di dhembjet, lëndimet dhe zhgënjimet me të cilat po përballeni, por Ai dëshiron t’ju dëgjojë të luteni atë që Krishti u lut në kopsht natën e arrestimit të Tij: “Megjithatë, jo si dua unë, por si do ti” (Mateu 26:39). A është kjo lutja e zemrës suaj?
Lutje: Zot, vij para Teje edhe pse jam në një situatë të vështirë. Lutem që vullneti Yt të realizohet në këtë stinë të jetës sime. Më ndihmo të të besoj dhe të të pres. Lutem në emër të Jezusit. Amen.
“Por ndërsa Jozefi ishte atje në burg, Zoti ishte me të” (Zanafilla 39:20-21).