Këmbe të papastra
nga Laura MacCorkle
Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri-tjetrin; sikurse unë ju kam dashur, ashtu edhe ju ta doni njëri-tjetrin. Prej kësaj do t’ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin. – Gjoni 13:34-35
Përpara se të jepte këtë urdhërim, Jezusi e kishte demonstruar dashurinë e Tij po të njëjtën natë gjatë Darkës së Fundit, teksa e përuli veten dhe lau këmbët e dishepujve (Gjoni 13:4-5). Ky veprim e ilustrion në mënyrë të përkryer urdhërimin e Tij.
Pra, Ai ngjeshi një peshqir në brez. Pas kësaj, hodhi ujë në një enë dhe filloi të lante këmbët e dishepujve, duke ua tharë me peshqirin që kishte ngjeshur në brez.
Pasi lexova këtë, fillova të imagjinoj se çdo të thotë të lash këmbët e papastra të dikujt.
Mendo se ku kanë shkelur këmbët e tua, sidomos nëse jeton një një fshat. Kjo fillon të bëhet shumë e afërt dhe personale. Dhe, në varësi të higjenës ose mungesës së saj, nuk është shumë e këndshme. Të lash këmbët e dikujt nuk është fare një shërbim i bukur për atë që e kryen. Por as nuk lidhet me rolin e shërbëtorit, sepse përfaqëson një pozitë të përulur dhe një mentalitet që i vendos të tjerët përpara vetes.
Në ditët dhe kohët e sotme, e di se ka disa kisha që e kryejnë shërbesën e larjes së këmbëve përpara Pashkës për të kujtuar veprimin e Krishtit dhe urdhërimin e Tij. Nuk kam marrë pjesë në një të tillë, por jam e sigurt se është një objekt mësimi shumë i mirë për të ndihmuar të gjithë brezat të kuptojnë se si të duan njëri – tjetrin.
Për ta çuar idenë pak më larg komentari “The Bible Knoëledge Commentary” thotë këtë mbi larjen e këmbëve:
“Larja e këmbëve ishte e nevojshme në Palestinë. Rrugët ishin me pluhur dhe njerëzit vishnin sandale pa çorape. Ishte një shenjë nderimi për të ftuarin që t’i laje këmbët; ishte një mungesë mikpritje në rast se nuk e bëje. …(Jezusi) kreu një shërbim përulësie për (dishepujt). Për të plotësuar nevojat e të tjerëve duhet të vetë-sakrifikohesh. Ky paragraf thekson përulësinë e brendshme, jo një rit fizik. Por duke ndjekur shembullin e Jezusit, nuk duhet ta lartësojmë veten më shumë se Ai dhe të jetojmë si krenarë. Shërbëtori nuk është më i madh se zoti i tij.
Kështu pra, kur e përulim veten dhe i shërbejmë Zotit siç na ka shërbyer, është Ai që na ngre lart. Kur e duam Krishtin, Ai na e ndryshon zemrën dhe na motivon t’i duam të tjerët. Dhe nëse për të treguar këtë dashuri do të na duhet të lajmë këmbët e papastra të dikujt, le të bëhet kështu.
Do t’ju jap një zemër të re dhe do të shtie brenda jush një shpirt të ri; do të heq nga mishi juaj zemrën prej guri dhe do t’ju jap zemër prej mishi. Do të vë brenda jush Shpirtin tim dhe do të bëj që ju të ecni sipas statuteve të mia, dhe ju do të respektoni dhe do të zbatoni në praktikë dekretet e mia. (Ezekieli 36:26-27)
Të ndërlidhësh besimin me jetën: A po të thërret Zoti t’i tregosh dashuri dikujt? Përcakto kursin e veprimeve të tua që do të tregojnë një zemër të përulur: telefono, dërgo një mesazh, zgjat një dorë, thuaj një fjalë të ngrohtë ose laji këmbët! Dhe vazhdoni t’i bësh këto gjëra teksa tregoni dashuri për njëri – tjetrin!
Lexo më shumë: Ringjallja