E gjithë bota është duke u përballur me një pandemi, e cila ka sjellë ndryshime të mëdha si asnjëherë më parë. Tek Psalmi 11:3, fjala e Zotit thotë: Kur themelet janë shkatërruar, çfarë mund të bëjë i drejti? Shumë besimtarë po bëjnë të njëjtën pyetje sot.
Edhe në këtë situatë që jemi duke u përballur, ne duhet të kemi shpresë,- shpresë që bazohet në premtimet e pandryshueshme të Zotit.
Veçanërisht në kohë si këto është e domosdoshme, nuk rekomandohet, nuk sugjerohet, jo thjesht preferohet, është vërtet e domosdoshme që të shkojmë te Fjala e Zotit dhe të mësojmë prej tij.
Gjatë jetës së Isaias, edhe kombi i Judës kaloi një periudhë ankthi dhe pasigurie. Kombi ishte traumatizuar nga vdekja e Uziahut. Uziahu e udhëhoqi kombin për 52 vjet dhe kishte qenë shpresa e njerëzve, por tani ai ishte zhdukur. Dhe njerëzit u çuditën: “Çfarë duhet të bëjmë tani?” Edhe Isaia duhet ta ketë menduar këtë. Por pastaj ai e pa Zotin me sytë e tij, ulur në fronin e Tij të lavdishëm.
Isaia 6: 1– Në vitin e vdekjes së mbretit Uziah, unë pashë Zotin të ulur mbi një fron të ngritur dhe të lartë dhe cepat e mantelit të tij mbushnin tempullin.
Mesazhi është i qartë: Pavarësisht se kush ulet në fronet e kësaj bote, Mbreti i vërtetë i mbretërve mbretëron në qiell sipër. Jezusi i cili u tall dhe u fshikullua, i cili u kryqëzua dhe u varros, u ngrit fitimtar në ditën e tretë. Mbreti ynë, i cili ishte i urryer dhe nuk kishte ku të vinte kokën, po mbretëron dhe po sundon edhe tani. Ne mund të mbështetemi tek Ai, pa marrë parasysh se çfarë na vjen përpara.
Zoti nuk ndryshon asnjëherë. Ki besim tek Zoti, mbështetu në dashurinë dhe premtimet e Tij edhe kur kjo botë dhe rrethanat e tua duken të zymta.