Këshilla në rast tërmeti

Këshilla nga psikiatri

Këshillat në rast tërmeti janë të rëndësishme sepse ai u përjetua nga të gjithë ne dhe pasojat mendore që la tek njerëzit do të ndihen deri pas disa javësh thonë psikiatrët.

“Frika është njerëzore deri në kufirin kur situata është anormale. Ne të papërgatitur për këtë situatë anormale do të përdorim të gjithë mekanizmat tanë të reagimit, pra askush nga ne nuk duhet të shqetësohet për çfarë deri tani kemi përjetuar. Pothuaj gjysma e personave që kanë vuajtur stresin pastraumatik, fillojnë të shfaqin shenja të çrregullimit. Ne aktualisht jemi në stres akut normal. Kur kalojnë 4 javë atëherë rrezikojmë që ne të bëjmë çrregullim të stresit akut pas traumës. Pas 4 javëve tek njeriu nuk shkrihet gjendja traumatike si çdo gjë që ka kurbën e vet, bie edhe intensiteti i përjetimit të traumës dhe parashikohet që shumica jonë të kalojë në normalitet”, është shprehur Arjana Rreli, psikiatre.

Kjo gjendje shfaqet me disa simptoma që duhet të na shqetësojnë.

“Gjumë i shqetësuar, personi ka vizione të traumës dhe përjeton atë moment ose fleshback-et, përsëriten e janë të pranishme, jemi më nervozë se më parë, bëhemi indiferentë, kemi humor të luhatur. Të gjitha këto janë sinjale alarmi, se kemi çrregullime të stresit akut pas traumës. Pra kemi çrregullim të mbarëvajtjes së sistemit tonë nervor, dhe duhet kërkuar ndihma e profesionistëve”, shtoi ajo.

Gjithë çështja tani është si të mbrojmë veten dhe kontingjentet më të prekura nga trauma.

“Fëmijët e vuajnë shumë më tepër traumën. Pothuajse të gjithë nuk e kanë në përvojën e vet. Fëmija e ka fantazinë shumë të zhvilluar, ai mund ta amplifikojë stresin e vet me imazhe dhe përjetime që mund të lënë shenjë për jetën e tij për t’u shfaqur më vonë si çrregullim mendor”, shprehet Rreli.

Prindërit duhet të gjejnë fillimisht qetësinë brenda tyre, sepse një reagim i gabuar mund të ketë më vonë një kosto të lartë.

“Një prind në ankth e përçon panikun e tij me ekstremet e përjetimit të tij, me foto, me imazhe, krahasime, dhe fëmija në këto kushte e shton më shumë ankthin brenda tij”, ka thënë psikiatria.

Prindi nuk duhet të bëjë as indiferentin në këtë situatë, pasi kështu fëmija fantazon dhe krijon një presion të fuqishëm në vetvete.

“Prindi duhet të ruajë qetësinë e tij, t’i mbajë pranë vetes fëmijët, të flasin për këtë fenomen natyror”, tha ajo.

Bujë bëri rasti i një zonje nga fshati Domje që u hodh nga veranda me djalin 6 vjeç në krahë. Njerëzit janë të ndryshëm dhe secili bën zgjidhjen e tij të momentit.

“Kjo traumë përveçse na gjeti të papërgatitur, na gjen edhe në terren të stresorëve të tjerë që bën që ne të humbim kontrollin, të na kapë paniku i momentit. Në tentativë për të shpëtuar ne i shkojmë një ekstremi tjetër, duke u vetdëmtuar. Ne nisemi nga instinkti i parë i mbrojtjes. Edhe nëna vrapoi për të mbrojtur fëmijët dhe veten. Qetësia dhe menaxhimi i stresit është shumë i rëndësishëm, jo vetëm një fjalë për t’u thënë”, shton psikiatria.

Kur vepron në panik dhe me frikë pasojat mund të jenë fatale ndaj Mjekja Pediatre, Lira Gjika ka dhënë disa këshilla për prindërit se si të sillen me fëmijët e tyre pas tërmetit.

Ajo thotë nuk është e lehtë për prindërit, por gjeja më e mirë është që përmes lojës të flasin dhe t’i tregojnë fëmijës sa frikë ka edhe vetë i rrituri.

“Të futësh në veprim harresën në moshat e brishta, është si të lësh një të rritur gati të paaftë të mendojë. Prandaj duhet të flasin, të luajnë, të mos kenë frikë. Natyrisht ta kenë frikën, se frika e ka shpëtuar njeriun dhe ajo do na shpëtojë, se do na vërë mendjen në punë, por jo ajo frika që të lë të hutuar, jo ajo frika që sillesh s’di çfarë të bësh, s’di kë të shash, s’di ku të mbrohesh.” –shprehet Lira Gjika.

“Bisedë me Anën për tërmetin” nga Lira Gjika – publikuar në Facebook-un e saj.

“Ana është një vajzë tetë vjeçe dhe unë e kam mikeshë të vogël. Ajo më thërret në emër, pasi më konsideron shoqen e sajë. Me lejen e mamit, kemi edhe ndonjë sekret siç kanë të gjitha shoqet e mira.

Sa më pa sot në rrugë, erdhi me vrap dhe pasi më përqafoi, më pyeti: U trembe nga tërmeti?

– Po Ana, shumë, po ti?

Ana duke qeshur mu përgjigj: Unë fare Lira, po babi me mamin dhe nënën, janë trembur shumë. Kur ra tërmeti babi më rrëmbeu nga krevati dhe më mbante në krah duke ndenjur te dera. Mami bënte “obobo” me zë të ulët, ndërsa nëna lutej. Kemi dy ditë që rrimë në makinë. Sa shkojnë në shtëpi të marrin diçka dhe dalin me vrap.

– Po kanë frikë Ana dhe frika nuk është turp.

– Mund të bjerë prapë një tërmet, po jo në Tiranë – ndërhyri Ana – se e tha dhe ai xhaxhi shkencëtari, që studion tërmetet, po babi dhe mami nuk besojnë. Po ti Lira, beson te xhaxhi shkencëtari?

– Po xhan, besoj.

– Mua më thonë mos ki frikë dhe vetë dridhen.

– Po edhe ne të rriturit nuk i bëjmë gjithnjë gjërat siç dëshirojmë. Mami dhe babi nuk kanë parë e ndjerë tërmet më parë edhe ata si ty, po e provojnë për herë të parë, prandaj janë kështu konfuzë.

– Po e kuptoj, po unë u lodha dhe dua të shkoj në shtëpi. Sot ishte edhe dita e Pavarësisë por nuk bëmë asgjë, siç bënim herët e tjera.

– Ana do të na falësh ne të rriturve, që edhe ne, si ju fëmijët, nuk i bëjmë mirë detyrat tona.

Ana më përqafoi edhe një herë fort dhe iku me nënën e saj.

Përdorimi i ashensorëve -Këshilla në rast tërmeti

ISHMT thotë se ashensorët janë të sigurt dhe pa probleme intensive, por i bën thirrje qytetarëve t’i shmangin në rastet e tërmeteve dhe të mos i vënë në punë.

Njoftimi i ISHMT-së:

Nga komunikimet me instaluesit e ashensorëve me vendndodhje në Tiranë, të cilët kanë konfirmuar verifikimin pas goditjes së tërmetit të datës 26 Nëntor, dhe lëkundjeve të tjera sizmike në vazhdim. Ashensorët të cilët pas verifikimeve të realizuara janë konstatuar të sigurt dhe pa probleme inxhinierike, mund të vendosen në punë.

Kujdes! Pavarësisht këtij lajmërimi, duke qenë se jemi në moment të lëkundjeve të vazhdueshme sizmike, në rastin e goditjeve të larta sizmike të mundshme, verifikimi duhet të ripërsëritet dhe ashensori nuk duhet të vendoset në punë deri sa të realizohet sërish ky proces.

Duke shpresuar në mospërsëritjen e ngjarjes së ndodhur, kërkojmë përgjegjshmëri maksimale nga administratorët/instaluesit/ndërtuesit/personat përgjegjës!

Siguria e Jetës është e para dhe për të duhet të kujdesemi të gjithë!

Shënim: Ky njoftim për t’u zbatuar nga personat përgjegjës lëshohet sot më datë 27/11/2019, Ora 13:00 për instalimet në zonat e prekura në Tiranë dhe qytetet e tjera duke përjashtuar Durrësin, Thumanën dhe zonat e tjera në epiqendër të tërmetit, ku instalimet sipas vlerësimeve të deritanishme kanë pësuar dëmtime serioze dhe duhet të kalojnë një vlerësim të detajuar dhe të specializuar.

këshilla

Këshilla në rast tërmeti

Sekretariati i Përgjithshëm i Mbrojtjes Civile të Greqisë po ashtu ka sjellë për publikun shqiptar një udhëzim për përballimin e tërmeteve që e gjeni të plotë më poshtë.

1.Përgatitja

a) Brenda shtëpisë

  • Fiksoni mirë pas mureve raftet dhe bibliotekat. Largoni nga portat mobiliet e larta të cilat mund të rrëzohen dhe të përbëjnë pengesë për të larguar.
  • Vidhosni mirë në mure bolierin, depozitat e lëndëve djegëse dhe të ujit.
  • Vendosni sendet e rënda në raftet më të ulëta.
  • Largoni sendet e rënda nga krevatet dhe kolltukët.
  • Fiksoni mirë llambadarët dhe freskueset e tavanit.
  • Përcaktoni vendet e sigurta në çdo dhomë të shtëpisë:

– Poshtë tavolinave të sigurta.

– Larg sipërfaqeve prej qelqi dhe bibliotekave.

– Larg mureve të jashtme.

  • Kontrolloni funksionimin normal të rrjetit së energjisë elektrike dhe të gazit.
  • Informoni të gjithë pjesëtarët e familjes për mënyrën e mbylljes së siguresave të energjisë elektrike, ujit dhe gazit si dhe për numrat telefonikë të emergjencave, numri kryesor, 112.
  • Pajisuni me një radio me bateri, elektrik dore si edhe një kuti të ndihmës së shpejtë.
  1. b) Jashtë shtëpisë
  • Zgjidhni një vend takimi pas tërmetit, i cili të ndodhet:

 Larg ndërtesave dhe pemëve.

 Larg kabllove të linjave elektrike dhe të telefonisë.

2. Në momentin e tërmetit

a) Kur jeni brenda në shtëpi.

  • Ruani qetësinë.
  • Futuni poshtë mobilieve të forta (Tavolina, banakë, etj.) përkuluni dhe mbani me duart tuaja një këmbë te mobilies.
  • Në rast se nuk keni mobilie të forta, përkuluni në mes të dhomës, duke reduktuar sa të mundeni gjatësinë tuaj dhe mbroni me duart tuaja kokën dhe qafën. Largohuni nga sipërfaqet e mëdha prej qelqi (dritare, ndarje xhami) ose mobilie dhe objekte që mund tu dëmtojnë.
  • Μos u largoni nga shtëpia.
  • Mos dilni në ballkon.

b) Nëse jeni në një ndërtesë të lartë

  • Largohuni nga xhamat dhe muret e jashtëm.

c) Nëse jeni në ambiente argëtimi, në qendër tregtare ose dyqan të madh

  • Ruani qetësinë
  • Qëndroni në ambient deri sa të mbarojnë lëkundjet.
  • Mos ndiqni turmat që janë në panik dhe lëvizin në mënyrë te çrregullt drejt daljeve, sepse rrezikoni të shkeleni me këmbë.

d) Nëse ndodheni në ambient të hapur

  • Largohuni nga vende që ndodhen poshtë ndërtesave, kabllove të linjave elektrike dhe të telefonisë.
  • Nëse keni çantë ose dosje, mbuloni kokën me të.

e) Nëse ndodheni brenda në makinë

  • Drejtohuni drejt një vendi të hapur dhe ndaloni me kujdes makinën ne mënyrë që mos të pengojë qarkullimin.
  • Shmangni kalimin nëpër tunele, ura, nënkalime dhe mbikalime.

3) Çfarë të bëni pas tërmetit

a) Nëse jeni brenda shtëpisë

  • Përgatituni për tërmete te tjerë, të mundshëm.
  • Kontrolloni me kujdes veten dhe të tjerët pranë jush për dëmtime të mundshme.
  • Nëse ka persona me dëmtime të rënda mos i lëvizni.
  • Evakuoni ndërtesën nga shkallët (mos përdorni ashensorin), por më parë ulni siguresat elektrike, mbyllni bombolat e gazit dhe ujin.
  • Drejtohuni tek një vend i hapur dhe i sigurt.
  • Ndiqni udhëzimet e autoriteteve dhe mos u jepni rëndësi fjalëve që përhapen.
  • Mos përdorni automjetin pa arsye në mënyre qe mos të bëhen pengese për grupet e shpëtimit.
  • Përdoreni telefonin fiks ose celularin vetëm në raste të veçanta, sepse shkakton mbingarkesë të linjave telefonike.
  • Shmanguni hyrjes në shtëpi nëse shikoni dëmtime, kabllo të këputura ose rrjedhje të gazit.
Ndani përshtypjet tuaja me ne

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
Rreth Radio 7

Radio 7 hyri në tregun radiofonik shqiptar si një media që sjell një këndvështrim pozitiv për jetën! Radio 7 është një zë pozitiv përmes përzgjedhjeve muzikore të përditshme, programeve informative, educative dhe sociale. Ne përdorim parimet biblike në thelb të përmbajtjes së programeve tona, me dëshirën për të parë një shoqëri shqiptare ku vlerat mbrohen. Stafi dhe programet e realizuara i japin një rëndësi të veçantë mirëqënies fizike, emocionale dhe shpirtërore të çdo personi.

Licensuar në nëntor te vitit 2001, Radio 7 fillon transmetimet në 17 maj 2002 me një transmetues në malin e Dajtit, nga një studio modeste dhe me pjesën më të madhe të stafit si vullnetarë.

Është quajtur Radio 7 sepse simbolika biblike e numrit 7 është “dita e pushimit dhe paqes fizike dhe shpirtërore.” Nëpërmjet transmetimeve të saj Radio 7 kërkon t’ju jap dëgjuesve pushim dhe paqe pavarsisht se sa e zhurmshme është dita në qytetet ku jetojmë.

Radio 7 transmeton në Tiranë në frekuencën 97.7 fm, e duke filluar që nga vitet 2005-2007 jane shtuar 2 transmetues te rinj, nje ne Ardenice me qellim mbulimin me sinjal te ultesires perendimore dhe nje tjeter ne Petresh per mbulimin me sinjal te zones se Elbasanit. Sot Radio 7 transmeton ne tre frekuenca, 97,7 FM ne Tirane, 102,3 ne Elbasan dhe 88,2 ne Ardenice. Ne vitin 2009, Radio 7 ka filluar transmetimet ne internet ne www.radio-7.net.


Free!

REGJISTROHUNI