Këndvështrimi që keni për jetën do të influencojë mënyrën se si e jetoni atë. Nëse e jetoni jetën duke e parë nga këndvështrimi biblik, jeta juaj do të ketë kuptim më të thellë se sa kur e shihni atë me lupë pesimizmi. Tek Predikuesit 11-12, gjejmë konkluzionet përfundimtare të Solomonit për pikëpamjen e tij për jetën dhe mësimet që nxori. Sot do të shikojmë dy pika kryesore nga ata kapituj:
Jeta është administrim; investoni me mençuri. (Shih Predikuesit 11:1-6.) Çdo gjë në jetë – jo vetëm pasuritë, por edhe familja, miqtë, marrëdhëniet, gjithçka që kemi – është një dhuratë nga Perëndia. Ai na besoi menaxhimin e të gjitha mirësive të Tij në emër të Tij. Ne nuk zotërojmë asgjë, por Ai na i ka dhënë për t’i menaxhuar për Të. E shihni, e gjithë jeta, tha Solomoni, është administrim, dhe prandaj ne duhet ta investojmë atë me mençuri.
Jeta është një festë; kënaqu me të. (Shih Predikuesit 11:7-12:8.) Që ne të shijojmë jetën dhe ta shohim atë si një festë, ka tre gjëra që duhet të bëjmë: të gëzohemi (11:7-9), të largojmë (11:10-11 ), dhe të kujtojmë (12:1-8).
Gëzohuni për çdo ditë. Imagjinojeni çdo ditë të re si një dhuratë të mbështjellë nga dora e Perëndisë dhe prisni me padurim të zgjoheni që t’a hapni atë dhuratë të mrekullueshme. Fillojeni ditën tuaj me mirënjohje.
Largoni hidhërimin, besimet e rreme, zakonet e këqija dhe marrëdhëniet e pakëndshme nga jeta juaj para se ato të rrezikojnë të ardhmen tuaj.
Kujtoni praninë e vazhdueshme të Zotit. Kudo që të shkoni, Ai është me ju dhe ju vëzhgon. Mos harroni t’i bindeni Fjalës së Tij dhe të kërkoni së pari drejtësinë dhe Mbretërinë e Tij, sepse ky është sekreti i suksesit tuaj. Mos harroni ta vendosni Atë të parin në çdo vendim që merrni.
Lutje: Atë, më ndihmo ta shoh jetën si një administrim për të investuar me mençuri dhe si një festë që të gëzoj në të. Lutem në emër të Jezusit. Amen.
“Gëzohu, pra, o i ri, në rininë tënde, le të gëzohet zemra jote në ditët e rinisë sate.” (Predikuesit 11:9).