Shtatori erdhi. Bashkë me të përveç shiut rikthehet edhe shkolla e puna. Kur hyn ky muaj e kuptojmë se pushimet tashmë kanë mbaruar. Ato janë një periudhë që mezi priten nga gjithkush, kalojnë shpejt dhe menjëherë pas tyre të duhet të kthehesh në punë. Pushimet duken të shkurtra sepse me siguri do doje që të kishin zgjatur por në të njëjtën kohë duket të gjata sepse teksa je ulur në tavolinën e punës e ke pak të vështirë të kujtohesh për të gjitha hallkat e procesit.
Pak mund të thonë “Më në fund!” kur kthehen në punë, shumica do të shfrynin. Gjithsesi situata nuk duhet parë më kaq pesimizëm. Në fund të fundit ne e dinim që do të riktheheshim në punë e për më tepër jemi rikthyer në ambientin ku shpenzojmë një pjesë të madhe të ditës sonë me njerëz që ndoshta s’do kishim mundur t’i njihnim gjëkundi tjetër.
Por meqë plogështia e ditëve të para të punës ekziston, kemi zgjedhur që të tregojmë për ju disa mënyra që na ndihmojnë ta mirëpresim pozitivisht kthimin në punë.
Kthehu nga pushimet dy ditë përpara se të fillosh punën
Kur largohemi nga puna është e rëndësishme që gjithçka që bëjmë të mos e lëmë rrëmujë. Kjo do të na stresonte edhe gjatë pushimeve. E kur të ktheheshim nuk do të dinim nga t’ia nisnim. Këtu kuptojmë se faji nuk është i punës por i mënyrës se si ne punojmë. Nëse do t’i linim punët të përfunduara (brenda mundësive) dhe në rregull, kthimi në punë do të ishte më i lehtë. Sistemimi i punëve është po ashtu arsyeja se përse kthimi nga pushimet duhet të bëhet dy ditë më përpara fillimit të punës. Duke u kthyer një ditë më përpara atëherë t’i ke kohë për të kontrolluar e-mailet dhe takimet që mund të të jenë shtuar në axhentë. Nëse kthehesh nga pushimet dhe të nesërmen të duhet të punosh me një ritëm normal me siguri do të shpërqendrohesh. Ndaj një ditë mes pushimeve dhe punës është “shpëtimtari” yt, që në punë të kthehesh me pozitivitet.
Mos anashkalo
Është e vërtetë që të punosh me ritmin e zakonshëm që në ditën e parë të kthimit në punë, nuk është e lehtë. Por ky nuk është një justifikim për të neglizhuar punën. Është mirë që të marrësh kohë për t’i bërë gjërat por jo t’i heqësh nga lista e punëve. Të paktën filloje. Neglizhimi i tyre nuk ka për të të ndihmuar aspak. Thjesht pak ditë më vonë do të shohësh se nuk di nga t’ia nisësh sepse ke grumbulluar kaq shumë punë. Fjala e Urtë popullore “Punën e sotme mos e lër për nesër” vlen shumë në këtë rast.
Pushimet supozohet të na sjellin energji, jo plogështi
Të pushosh do të thotë të fitosh energji të reja. Ndërkohë ajo që ne reflektojmë kur kthehemi në punë është pamja e një personi që ka shkuar të bëjë një punë më të rëndë dhe jo për pushime. Pushimet duhet të të furnizojnë me energji dhe ide të reja. Dhe ato e bëjnë por ne i vëmë më shumë rëndësi faktit se përse nuk zgjatën dhe pak në vend që t’ju gëzohemi për aq sa zgjatën. Merr kujtimet e bukura të pushimeve dhe frymëzohu për ide të reja në punën tënde.
Mos merr vendime të rëndësishme
Idetë e reja pas pushimeve janë të bukura por mos i vendos në zbatim menjëherë pasi ë jesh ulur në tavolinën e zyrës. Psikologu Meredith Fuller, thotë se vendimet e marra pas kthimit nga pushimet nuk kanë rezultuar të suksesshme. Kështu më e mira do të ishte që idetë t’i mbanim shënim dhe vendimin për to apo për çdo gjë tjetër ta marrim një javë më vonë, me një mendje më të kthjellët.
Sistemo tryezën e punës
Rrëmujës në tryezën e punë nuk i kushtojmë ndonjë rëndësi të veçantë. Është shumë e saktë që rëndësinë më të madhe e kanë çështjet thelbësorë të punës por s’mund të mohojmë se rrëmuja na huton disi. Ndaj do të ishte mirë që pas pushime t’ia fillonim me rregullimin e tavolinës së punës. Kjo do të na ndihmonte që të ambientohemi më thjeshtë me punën dhe do të na bënte të ndiheshim më të qetë. Të paktën nuk kemi harruar se si sistemohet një tavolinë pune. Me mirorganizimin vjen edhe produktiviteti.
Me këto këshilla të shkurtra dhe praktike ju urojmë një kthim të mbarë në punë.