Për Perëndinë të vegjëlit janë të rëndësishëm, ndaj ata duhet të jenë të rëndësishëm edhe për ne. Fëmijët janë një bekim në jetën tonë. Prezenca e tyre këtu është një gëzim, Zoti përmes tyre të tregon se ka gjithmonë një shpresë, se Ai e ka një plan në vazhdimësi. Bijtë janë një trashëgimi prej Tij, një shpërblim për njerëzit, tregues i bujarisë së Tij.
Gjendja mëkatare e njeriut ka shkatërruar shumë prej dhuratave të çmuara që kemi marrë. Pasionet egoiste e kanë çuar botën në mjerim. Lakmia për para, si rrënja e të gjithë këqijave ka zënë vend në zemrën e njeriut dhe dashuria për njëri-tjetrin vetëm vazhdon të zbehet. Papunësia është e lartë, e për pasojë ka shumë familje që vuajnë nga pamundësitë ekonomike për të rritur dhe shkolluar fëmijët e tyre.
Sipas të dhënave të UNICEF, 20% e fëmijëve në Shqipëri jetojnë në kushte jo të mira, në varfëri absolute. Ekspertët thonë se shqetësues është fakti, që rritja në ambiente të varfëra lidhet me pasoja afatgjata në arsimim, në shëndetin fizik dhe zhvillimin e trurit, edhe kur fëmija rritet.
Fëmijët që rriten në varfëri e kanë më të vështirë për të shpëtuar prej saj edhe në të ardhmen, ndryshe nga fëmijë që rriten në familje me të ardhura të qëndrueshme.
Një ndër problemet më të mëdha që fëmijët në vështirësi ekonomike hasin, është shkollimi. Mungesa e veshjeve, e çantës së shpinës, mjeteve mësimore dhe fletoreve i bëjnë ata të ndihen të përjashtuar. E gjithë kjo peshë emocionale ndikon në imazhin që ata formojnë për veten e tyre dhe e ardhmja duket e errët. Kjo nuk duhet të ndodhë tek një vogëlush. Ti mund të jesh një ndihmë e çmuar për të. Mund të ndihmosh dikë që kur të kujtojë fëmijërinë e tij të mos mbajë mend vetëm mangësitë, por edhe shpresën që ka pasur kur ka parë se jo të gjithë e kanë harruar.
Ne duam të sjellim më shumë buzëqeshje dhe shpresë në fytyrat e vogëlushëve që nisin shkollën këtë vit dhe të çojmë tek ta çfarë u nevojitet. Radio 7 të fton në një fushatë ku mund të dhurosh lapsa, fletore, ngjyra, e shumë mjete mësimore. Bashkohu me ne. Dhuratat e tua mund t’i dorëzosh pranë Librarisë së Qëndrës Stefan. Lumturia rritet vetëm atëherë kur ne ndajmë atë çfarë kemi me të tjerët. Bëj që një fëmijë të shkojë në shkollë sot, me çantën plot.