Lexo:Psalmi 19:12-14; 51:10
Pas darkës babai mori Biblën e tij. “Çfarë kënge doni të këndojmë para se të lexoj?” pyeti ai, duke kërkuar pasazhin që kishte zgjedhur.
Aroni u përgjigj me nxitim. “Të këndojmë këngën ‘Çfarë Zoti të lavdishëm i shërbejmë,’” sugjeroi ai. “Këtë e kemi kënduar në shkollën e së dielës.” Ai pa vëllanë e tij të vogël, i cili po hante puding me çokollatë. “Bën mirë ta lësh lugën tani, Tori,” shtoi Aroni. “Nuk mund të këndosh duke ngrënë.” Tori e la lugën në tavolinë, por kur të tjerët filluan të këndonin, ai nuk këndoi.
Në fund të këngës babai pa djalin e tij të vogël. “Zakonisht ty të pëlqen të këndosh, Tori, por sonte nuk këndove,” tha babai.
Tori tundi kokën. “Nuk mund të këndoja me buzët e papastra,” tha ai qetësisht. Babai buzëqeshi, ndërkohë, mori një pecetë dhe filloi të fshinte pudingun në fytyrën e djalit. “Mendoj se sapo na dhe një mësim,” tha babai. “Buzët e tua ishin me puding, Tori, dhe ti doje të ishe i pastër para se të këndoje. Ndonjëherë goja jonë mund të ndotet nga diçka edhe më e keqe. E di ndonjë se çfarë mund të jetë?”
“Epo… një nga djemtë e skuadrës së bejsbollit tha një mal me fjalë të këqija kur nuk e goditi topin,” tha Aroni. “Dëgjova disa nga vajzat që thanë se ai ka një gojë të papastër. Për këtë po flet?”
“Po, pikërisht për atë,” u përgjigj babai.
Nëna pohoi me kokë. “Shpesh është goja ajo që na fut në telashe,” tha ajo qetësisht. “Duket e lehtë të thuash gjëra që e lëndojnë dikë, dhe gjithashtu, të gjithë ne priremi të mburremi herë pas herë. As kjo nuk është gjë e mirë. Të gjithë ne duhet të sigurohemi që buzët dhe zemra jonë të jenë të pastra kur lutemi dhe adhurojmë Perëndinë.”
“Domethënë…” Aroni filloi të fliste i menduar. Ai heshti dhe më pas bëri përmbledhjen e mësimit që sapo kishin diskutuar. “Mendoi,” tha ai duke i buzëqeshur Torit, “se nuk do të ishte problem nëse do të këndoje me puding në buzë, për sa kohë që zemra jote është e pastër!”
“Kjo është diçka e rëndësishme,” pranoi babai. “Para se të lutemi dhe ta adhurojmë Perëndinë që është i shenjtë, le t’i kërkojmë Atij të na pastrojë nga çdo mëkat që kemi bërë.” “Mirë. Tani buzët e mia janë të pastra, kështu që a mund ta këndojmë sërish këngën tonë?” pyeti Tori. “Sigurisht,” tha babai. “Fillimisht le të lutemi dhe më pas të këndojmë me buzë dhe zemër të pastër.”
A lutesh dhe adhuron gjithmonë me një buzë të pastra? Sigurohu që fillimisht të kërkosh falje sa herë që zemra jote ndotet nga fjalët e gabuara. Mos i lejo mëkatet e zemërimit, kritikës, thashethemit ose mburrjes të ndotin buzët e tua. Rrëfeja Zotit mëkatin dhe me ndihmën e Tij, mos e përsërit më. Më pas mund të lutesh dhe t’i këndosh lavde Atij me një gojë të pastër