“Moisiu dhe Aaroni shkuan te Faraoni dhe i thanë: «Kështu thotë Zoti, Perëndia i hebrenjve: ‘Deri kur do të refuzosh të ulësh kokën para meje? Lëre popullin tim të shkojë që të mund të më shërbejë.’”–Eksodi 10:3
Sot dua të fokusohemi dhe të lutemi sipas asaj fraze në mes të vargut, fraza që Moisiu dhe Aaroni i thanë faraonit këtu në Eksodin 10: “Deri kur do të refuzosh të ulësh kokën para meje?”. Mendoni për këto fjalë. Të refuzosh të ulësh kokën para Zotit. Kështu po vepronte faraoni. Përgjatë plagëve zemra e tij përshkruhet si zemra më e ngurtësuar në botë. Faraoni e kishte ngurtësuar zemrën e tij para Perëndisë. Por këtu na përshkruhet si dikush që refuzon ta ulë kokën para Zotit. Mendoni pak për Isaian, kapitulli 66, ku Zoti thotë: “Unë do ta kthej shikimin tim mbi atë që është i përulur dhe i penduar në frymë dhe dridhet nga fjala ime.” Perëndia kërkon njerëz të tillë. Ai kërkon ata që janë të përulur dhe të penduar në frymë dhe që dridhen nga fjala e Tij. Me pak fjalë, faraoni është e kundërta e kësaj. Si rezultat, faraoni dhe ata që ai drejton po përjetojnë gjykimin e Zotit vazhdimisht e vazhdimisht e vazhdimisht përmes plagëve. Përshkrimi që po shohim këtu është i qartë në të gjithë Biblën. Bekimi i Perëndisë, mirësia e Perëndisë, favori i Perëndisë dhe mëshira e Tij derdhen te ata që janë të përulur para Tij. Ata që i kundërvihen Perëndisë me krenari, ata që refuzojnë ta dëgjojnë dhe t’i binden Fjalës së Zotit, në fund përjetojnë gjykimin dhe dënimin e Zotit. Ndaj dua që të lutemi për këtë në jetët tona: për përulësi para Zotit. Kjo është një nga gjërat që kam në listën time për veten, për familjen, për njerëzit që më rrethojnë dhe për anëtarët e kishës që mbaj në lutje javë pas jave. Unë lutem që të gjithë ne të kemi zemra të përulura para Perëndisë, të kemi zemra të buta para Tij, ta dëgjojmë Fjalën e Tij, të dëshirojmë t’i bindemi Fjalës së Tij dhe të shohim nga Ai me përulësi për gjithçka që kemi nevojë në përditshmërinë tonë.
Perëndi, na ndihmo të shohim dhe të kuptojmë se thelbi i mëkatit është krenaria para Teje. Kjo tregon se ne duam të jetojmë sipas mënyrës sonë, që mendojmë se jemi të zgjuar dhe që e dimë cila është më e mira. Të gjitha këto janë prova të krenarisë, ndaj, Perëndi, unë lutem që t’i heqësh të gjitha këto gjëra nga ne. Perëndi, unë lutem që ta largosh krenarinë nga unë. Lutem që ta largosh krenarinë nga ata për të cilët po lutem tani, që të na pastrosh nga krenaria dhe të na japësh përulësi. Zot, unë lutem që të na ndihmosh përgjatë çdo dite që ta përulim veten para Teje, të jemi të penduar në Frymë, të dridhemi para Fjalës Tënde. Lutemi që të jemi të varur ndaj Teje javë pas jave dhe të themi vazhdimisht se pa Ty nuk mund të bëjmë asgjë. Pa Ty nuk duam të bëjmë asgjë. Ne e dimë që jeta gjendet në Ty, prandaj kemi nevojë për Ty që të kemi jetë, gëzim, paqe, urtësi, forcë dhe gjithçka. Për këtë arsye e përulim veten tonë para Teje tani në lutje dhe lutemi që të na ndihmosh të rritemi në këtë përulësi. Në mendje kemi Jezusin dhe atë që thuhet te Filipianëve 2, që edhe pse ishte në trajtë Perëndie, nuk e çmoi si një gjë ku të mbahej fort për të qenë barabar me Perëndinë, por e zbrazi veten e tij, duke marrë trajtë shërbëtori, e u bë i ngjashëm me njerëzit; dhe duke u gjetur nga pamja e jashtme posi njeri, e përuli veten duke u bërë i bindur deri në vdekje, edhe deri në vdekje të kryqit. Ndërsa e shohim Atë duke jetuar në këtë tokë me përulësi të vazhdueshme para Teje si Ati, duke shprehur varësinë ndaj Teje, nëse Jezusi, Perëndia në mish, u përul, atëherë na ndihmo që edhe ne të përulemi. Ne lutemi që të na japësh përulësinë e Jezusit. Në çdo aspekt të jetës tonë sot, na ndihmo të rritemi në përulësi. Na ndihmo ta përulim veten para Teje, të jetojmë me përulësi para Teje. Lutemi për këtë në emrin e Jezusit, amen.