Duhet të jemi në dijeni se kemi një armik të frikshëm – një armik qëllimi i të cilit është të mposhtë dhe të shkatërrojë trupin e Krishtit. Zakonisht besimtarët nuk kanë dijeni për planet e tij dhe për faktin se sado përçarës të bëhet Satani, fati i tij është i vulosur. Është një armik i mundur falë Jezu Krishtit!
Shumë besimtarë janë të verbër ndaj luftës së padukshme që zhvillohet rreth tyre. Dhe nuk janë të pajisur për të luftuar një betejë shpirtërore, e lëre më për të fituar luftën. Rrjedhimisht, Satani shpesh përdor besimtarë të rilindur, të mbushur me Frymë për të shkatërruar veprën e Perëndisë.
Dhe si ndodh kjo? Imagjinoni sikur jeni përballë një dhome me shumë dyer. Nëse ndonjë nga këto dyer është e hapur, armiku mund të hyjë. Secila nga këto dyer ka një emërtim si urrejtje, hidhërim, rebelim, xhelozi, epsh seksual, lakmi etj. Dyert që çojnë në atraksione të errëta si leximi i fatit, leximi i horoskopit dhe përfshirja në okulte janë pjesë e asaj dhome gjithashtu. Nëse lihen të pambrojtura, këto dyer do të shërbejnë si një vendkalim për armikun që të ketë akses në jetën tuaj.
Merrni kohë dhe kërkojini Zotit t’ju zbulojë dyert që i keni lënë të hapura armikut. Nëse nuk i mbyllni ato dyer, Satani do të hyjë dhe do të të vjedhë paqen, gëzimin dhe efektivitetin tuaj për Krishtin. Ai gjithashtu do të pengojë marrëdhënien tuaj me Atin dhe më pas edhe marrëdhëniet me të tjerët. Cilatdo qofshin dyert e hapura, rrëfejini këto fortesa përpara Zotit dhe shikoni ndërsa Ai mbyll çdo derë, një nga një.
Lutje: Atë, më ndihmo të sigurohem që asnjë derë në zemrën time të mos mbetet e hapur që armiku të hyjë. Lutem në emër të Jezusit. Amen.
“Por druaj se, ashtu si gjarpëri e gënjeu Evën me dinakërinë e tij, kështu edhe mendja juaj të mos prishet duke u shmangur nga thjeshtësia ndaj Krishtit.” (2 Korintasve 11:3)