Sot shenon data 1 Maj. 1 Maji njihet si Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve. Ky manifestim lindi nga lufta e punëtorëve për të kërkuar dhe siguruar të drejtat, liritë dhe kushtet e punës e të jetesës.
Festa e 1 Majit, apo Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve lindi nga lufta botërore e punëtorëve për të afirmuar të drejtat e tyre e për të përmirësuar kushtet e jetesës. Pavarësisht se kremtimi i saj lidhet ngushtë me protestën e punëtorëve të Çikagos, historia e festës së punëtorëve fillon më herët se sa viti 1886. “8 orë punë, 8 orë dëfrim e 8 orë gjumë”, kjo ishte parulla e hedhur për herë të parë në Australi më 1855-n e pastaj e përqafuar nga krejt lëvizja sindikaliste botërore.
U hap kështu rruga për protesta të përgjithshme dhe u kërkua një ditë, pikërisht 1 maji, në të cilën të gjithë punëtorët të ushtronin presion për të drejtat e tyre.
Në vitin 1866, shteti i Ilinoisit miratoi një ligj ku përcaktohej dita e punës prej 8 orësh, por kishte kaq kufizime, saqë ishte praktikisht i pazbatueshëm. Hyrja në fuqi e këtij ligji ishte caktuar për 1 Majin e vitit 1867, e pikërisht atë ditë, në Çikago u organizua një manifestim i madh. Rreth 10 mijë punëtorë morën pjesë në kortezhin më të madh të parë ndonjëherë nëpër rrugët e qyteteve amerikane.


Vetëm në gusht të vitit 1891, Kongresi tjetër i Internacionales, i mbledhur në Bruksel, mori vendimin që dita e 1 Majit do të kremtohej përgjithmonë e në të gjitha vendet si “festa e punëtorëve, në të cilën ata vetë do të manifestonin së bashku për kërkesat dhe do të tregonin solidaritetin ndaj njëri-tjetrit”. Sot, pothuajse pas 123 vjetësh, 1 Maji festohet në mbarë botën si Dita e Solidaritetit Ndërkombëtar të Punëtorëve.
