Sepse ne nuk kemi asgjë me vete në këtë botë, dhe është e qartë se prej saj nuk mund të marrim gjë me vete. (1 e Timoteut 6:7)
Dhembja, mirëqenia dhe pushteti kanë shumë të përbashkëta. Ato i ngjajnë katalizatorit në një laborator i cili precipiton ndryshimet kimike në një substancë të dhënë. Këto tre faktorë, arrijnë të ndryshojnë personat që përballen me to. Në një lloj mënyre, janë njësoj si larguesit e njollave të shpirtit, nxjerrin në pah karakterin e vërtetë të një personi.
Dhembja, ka qenë me ne që në ditën kur Kaini goditi dhe vrau vëllanë e tij, por dhembja fizike u ndoq nga dhembja emocionale, kur prindërit tanë të parë, panë jetët e tyre të përmbysura, duke e ditur se kishin humbur një djalë, edhe që djali që kishte mbetur ishte një vrasës.
C.S. Luis, një apologjist i Krishterë, e mendonte dhembjen si megafonin e Zotit- dhembja të tërheq vëmendjen si pak gjëra të tjera në gjithë jetën. Disa mendojnë se mungesa e dhembjes është dhuratë dhe hir nga Perëndia; të tjerët e përjetojnë hirin e vërtetë të Perëndisë në kohë dhembjesh të forta dhe në mënyra që ata kurrë nuk do t’i kishin menduar.
Arsyeja se përse disa vuajnë dhe përse disa të tjerë jo, nuk ka të bëjë me të qenit në mëkat, apo të qenit i drejtë. Edhe pse për të thënë të vërtetën, zgjedhjet e këqija, duke përfshirë këtu, veprime rebelimi kundër Zotit dhe vullnetit të Tij për ne, prodhojnë vuajtje dhe dhembje.
Pali, i thirri Zotit në tre raste të ndryshme, duke i kërkuar atij që të shëronte trupin e tij. Në vend të shërimit ai gjeti hirin e Perëndisë, e mësoi se në dobësinë e tij njerëzore gjendej fuqia e madhe e Zotit.
Varfëria dhe mirëqenia nuk janë as shpërblim e as mallkim, por të dyja arrijnë që t’i ndryshojnë njerëzit. Njëra na çon në vështirësi për të mbijetuar, tjetra vendos përpara nesh mundësinë për të pasur gjërat që sytë na shohin.
E megjithatë, të dyja, shërbejnë si katalizator që na ndryshojnë, qoftë për mirë apo për keq. Psalmisti thotë “ Nė rast se pasuritė janė tė bollshme, mos u kushtoni zemrėn” (Psalmi 62:10) Përse? Sepse paratë janë mëkat? Jo, edhe pse është gati e pamundur që të jesh i ndershëm dhe njëkohësisht shumë i suksesshëm. Pasuria mund të largojë zemrën tënde prej gjërave të rëndësishme, duke harruar që nuk kemi sjellë asgjë në këtë botë dhe nuk do të marrim asgjë prej saj.
Ka një tjetër katalizator në jetë dhe ky është pushteti, i cili vjen përmes suksesit apo rëndësisë. Ky është një katalizator i çuditshëm, sepse ka njerëz që nuk ndikohen prej rëndësisë që kanë. Ata janë vazhdimisht të zënë dhe kanë shumë përgjegjësi, por nuk ndikohen prej asaj që kanë bërë. Ata vazhdojnë akoma rutinën e tyre, siç kanë bërë përpara se të ishin të pasur, të famshëm, të pushtetshëm.
Disa të tjerë, të fryrë prej arritjeve , kërkojnë që të shkëlqejnë më shumë, e kanë ndarë veten e tyre nga pjesa tjetër e botës, dhe ndihen pjesë e një niveli që është rezervuar vetëm për pak persona.
Ku qëndron diferenca në të gjithë këtë? Jo në atë çfarë sheh së jashtmi, as në mënyrën sesi vepron, se çfarë vesh apo se në cilin restoranti ha- mund të jetë një restorant krejt i thjeshtë buzë rrugës, ose restoranti më i mirë i qytetit. Ndryshimi qëndron në atë çfarë gjendet brenda teje- në integritetin tënd, në të qenit i vërtetë.
Është e nevojshme të kuptojmë se nuk jemi gjë tjetër veçse pluhur dhe se një ditë do të lemë gjithçka që kemi grumbulluar këtu. Pali i rikujton Timoteut: Sepse ne nuk kemi asgjë me vete në këtë botë, dhe është e qartë se prej saj nuk mund të marrim gjë me vete” (1 e Timoteut 6:7)
Jo më kot, Pali na udhëzoi që të mblidhnim thesaret tona, atje ku vjedhësit nuk mund t’i marrin, ku nuk do t’u humbë kurrë vlera, e ku do të marrësh pikërisht atë që meriton. Mendo për këtë.