Nga të tre gratë nga Marku 16, Maria Magdalena dhe Maria nëna e Jezusit janë më të njohura për shkak se janë të përmendura në Bibël. Në kontrast me to, Salomeja është një personazh pothuajse i panjohur. Por ne e dimë historinë e saj, sepse ajo është nëna e dy prej dishepujve të Jezusit, bijve të Zebedeut.
Lexoni Mateun 20:20-28. Salome i donte djemtë e saj shumë. Në mendjen e saj, djemtë do ishin udhëheqësit më të mëdhenj që Jezusi do të kishte ndonjëherë. Kështu ajo i tha: “Urdhëro që këta dy bijtë e mi të ulen njeri në të djathtën dhe tjetri në të majtën në mbretërinë tënde“. (v. 21). Ashtu si shumë hebrenj, Salomeja ndoshta mendoi se Jezusi kishte ardhur për të krijuar një mbretëri fizike në tokë.
Si të gjitha nënat e dashura, edhe Salomeja kishte shpresa dhe ëndrra të mëdha për djemtë e saj. Ajo besonte se nëse ata mbretëronin bashkë me Jezusin në tokë do të përmbushnin ëndërrat e tyre. Por të Premten e Madhe, ndërsa ajo qëndronte në këmbët e kryqit, ato ëndrra u shkatërruan. Ajo pa se si gjithë ambiciet për djemtë e saj po vdisnin bashkë me Jezusin.
Salomeja nuk i kishte kuptuar ende qëllimet e Perëndisë – misterin e fshehur prej shekujsh, por që tani po i zbulohej popullit të Zotit (shih Kolosianëve 1:26). Shpresa e saj ishte ende në planet e saj. Por plani i Perëndisë ishte jashtëzakonisht më i mrekullueshëm se ai i saj. Sepse në kryq, Jezusi po garantonte se jo vetëm djemtë e saj, por çdo bir dhe bijë besimtare do të mbretëronin me Të në përjetësi.
Në atë mëngjes të parë të Pashkëve, qëllimi i Perëndisë u përmbush. Plani i tij i mrekullueshëm u realizua në momentin kur Jezusi derdhi gjakun e Tij, vdiq në vendin tonë dhe u ringjall. Ai mori vdekjen, gjykimin dhe ferrin tonë dhe tani Ai shpengon të gjithë ata që besuan tek Ai. Këto janë pasuritë e lavdishme të misterit, vetë qëllimi i Perëndisë—Krishti i dhënë për ne, shpresa e lavdisë.
Perëndia na do më fort se sa ne mund ta imagjinonim ndonjëherë. Ai na do me një dashuri të papërshkrueshme, të pashpjegueshme dhe të përjetshme,ndaj Ai zgjodhi të paguajë për mëkatet tona. Sipas qëllimit të Tij të madh, ne tani jemi drejtësuar në Krishtin dhe nuk jemi më të dënuar nga mëkati ynë. Pra, kur jemi të mbingarkuar nga rrethanat ose kur gjërat nuk shkojnë sipas planeve tona, le t’i besojmë Perëndisë, planeve dhe qëllimeve të Tij, të cilit janë gjithmonë më të mira se tonat.
Lutje: Zot, përmbush planin dhe qëllimin Tënd për jetën time. Faleminderit për dashuinë shpenguese. Transformoje jetën time dhe, nëpërmjet meje, jetën e atyre përreth meje për lavdinë Tënde. Në emrin e Jezusit lutem. Amen.
“Bëri të njohur tek ne misterin e vullnetit të tij sipas pëlqimit të tij, që ai e kish përcaktuar me veten e tij, që, kur të plotësoheshin kohërat, t`i sillte në një krye të vetëm, në Krishtin, të gjitha gjërat, ato që janë në qiejt dhe ato që janë mbi dhe.” – Efesianëve 1:9-10.