Gjithçka bëjmë për Zotin nëse nuk e bëjmë me dashuri nuk kanë vlerë për asgjë. 1 Korintasve 13:1-7
Shkrimi i sotëm njihet zakonisht si kapitulli i dashurisë. Është interesante që Pali nuk e përshkroi përkufizimin e dashurisë, por përkundrazi përshkroi rëndësinë dhe shprehjen e saj.
Kjo lloj dashurie nuk është me origjinë njerëzore; ajo vjen nga Ati ynë qiellor dhe është pjesë e vetë natyrës së Tij (1 Gjonit 4:16). Ajo që përshkruan apostulli është një dashuri altruiste, sakrifikuese që vepron në emër të dikujt tjetër. Dëshira e Perëndisë është që të transformojë të gjithë besimtarët në imazhin e Jezusit (Romakëve 8:29). Dhe ne jemi më shumë si Krishti kur shfaqim një kujdes të tillë vetëmohues për njëri-tjetrin.
Tre vargjet e para të 1 Korintasve 13 janë paralajmëruese. Pa motivimin e dashurisë, të gjitha veprat tona të mira – duke përfshirë shërbesën ndaj Zotit – nuk do të na sjellin asgjë. Në sytë e Perëndisë, një frymë e dashur është më e rëndësishme se fjalët mbresëlënëse, njohuria, besimi, bujaria dhe vetëmohimi. Kur qëndrojmë përpara Krishtit për t’u gjykuar për veprat tona të mira, çdo vepër e bërë për arsye egoiste nuk do të konsiderohet e denjë për shpërblim.
Ne të gjithë jemi të verbër në një farë mase për sa i përket motiveve tona, kështu që të dallosh pse i shërbejmë Perëndisë ose bëjmë vepra të mira mund të jetë e vështirë. Lutuni që të njihni qëllimet e fshehura të zemrës suaj dhe kërkoni nga Zoti që të zëvendësojë çdo motiv egoist me mënyrën e Tij më të shkëlqyer të dashurisë.