Praktikimi i bindjes ndaj autoriteteve tokësore na ndihmon të mësojmë t’u bindemi urdhërimeve të Perëndisë. – Efesianëve 6:1-9
Nga fillimi deri në fund të Biblës, Zoti i urdhëron njerëzit e Tij t’i binden Atij. Por nënshtrimi nuk na vjen natyrshëm, sepse të gjithë kemi lindur me një shpirt rebel. Ndaj duhet të mësojmë t’i bindemi Zotit dhe të kuptojmë se si të ndërveprojmë me përulësi me njerëzit që kanë autoritet mbi ne.
Vendi ideal për të mësuar bindjen është shtëpia. Në pjesën e sotme u kërkohet fëmijëve të nderojnë dhe t’i binden nënës dhe babait të tyre (Efes. 6:1-2). Perëndia planifikoi që përvojat tona të para ndaj autoritetit do të përfshinin nënshtrimin ndaj prindërve që na duan dhe kujdesen për ne. Nëpërmjet këshillave dhe disiplinës së tyre, mësojmë se çfarë duhet për të mbajtur nën kontroll shpirtin tonë rebel.
Në çdo fazë të jetës, Perëndia vendos autoritete mbi ne, qofshin prindër, mësues, trajnerë, punëdhënës ose politikanë (Romakëve 13:1-2). Sigurisht, si gjithë njerëzimi, edhe këta njerëz kanë lindur në mëkat, kështu që ata do të bëjnë gabime dhe do të ketë raste ku do të na trajtojnë padrejtësisht – por gjithsesi ata janë instrumentet e Tij. Pavarësisht nëse e miratojmë apo jo mënyrën se si na drejtojnë, njerëzit me autoritet na mësojnë vlerën e bindjes dhe pasojat e mosbindjes.
Shpesh e shmangim idenë për t’iu përgjigjur dikujt tjetër. Por na ndihmon të kuptojmë se qëllimi përfundimtar është t’i bindemi Zotit – dhe se urdhërimet e Perëndisë janë për të mirën tonë (Ligji i Përtërirë 10:12-13).