Ki besim tek Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd; pranoje në të gjitha rrugët e tua, dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua. Fjalët e Urta 3:5-6
“Besimi,”- thoshte agnostiku Samuel Clemens, i njohur si Mark Twain,- “është të besosh atë që ti e di se nuk është e vërtetë, por do të dëshiroje të ishte.” George Mueller nuk do të binte dakord me këtë. Dhe kush ishte George Mueller? Në rast se ky emër nuk ju kujtohet, po jua shpjegoj shkurtimisht. Siç mund ta kuptoni edhe nga emri, Mueller lindi në Kroppenstaedt, në Prusi dhe filloi shkollimin e tij mbi klasikët, në një universitet gjerman. Kur ishte i ftuar në shtëpinë e një miku, ai dëgjoi një burrë dhe u ul në gjunjë e filloi të lutej në një mënyrë të tillë, sikur të ishte thellësisht i bindur dhe në fund, u konvertua.
Mueller e kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij në punën e krishterë, por ndryshe nga shumica e njerëzve sot, ai nuk i kërkoi kurrë para askujt- as edhe një herë. Sekreti i tij ishte besimi tek Perëndia dhe ai ia besoi Perëndisë sigurimin e ushqimit dhe të veshjeve për më shumë se 10,000 jetimë. Mueller shkroi: “Besimi është siguria se ato që Perëndia ka thënë në Fjalën e Tij, janë të vërteta dhe se Perëndia do të veprojë sipas asaj që ka thënë në Fjalën e Tij. Kjo siguri, kjo mbështetje tek Fjala e Perëndisë, është besim.”
Në rregull, Mueller thotë se besim, nuk është të ecësh në errësirë, por të veprosh bazuar tek premtimet në Fjalën e Perëndisë. Por edhe kjo gjë, na përball me një problem. Si mund ta gjejmë guximin për të vepruar duke u bazuar tek ajo që tashmë e dimë?
Për shembull, në këtë libër të mrekullueshëm ne lexojmë me dhjetëra premtime, gjëra të mahnitshme që Perëndia ka premtuar. Por për shumë nga ne, ka një hendek midis asaj që besojmë, teorikisht, dhe asaj që bëjmë- asaj që vëmë në praktikë në jetën tonë. Pjesë e problemit është se ne kemi tendencën ta bëjmë jetën e krishterë shumë të komplikuar nga sa është në të vërtetë. Por ajo, në pjesën më të madhe, është relativisht e thjeshtë. Ne dimë shumë më tepër, nga sa bëjmë.
Shumë shpejt, ne mësojmë se lufta e vërtetë, shpesh është çështje e vullnetit tonë, duke dëshiruar të jemi plotësisht në kontroll të fatit tonë, në vend që t’u besojmë premtimeve të Perëndisë dhe thjesht, të bëjmë atë që duhet të bëjmë. Prandaj edhe Perëndia lejon që besimi ynë të testohet, sepse vetëm atëherë, ne mund të jemi të sigurt se Perëndia na ka takuar vërtet, në pikën e nevojës sonë më të madhe.
Ne të gjithë e duam bekimin e çlirimit të Perëndisë. Kush nuk e do? Por duhet testimi, që të na ndihmojë të dimë se Perëndia është aty dhe se Ai e mban fjalën e Tij. Natyra njerëzore megjithatë, duke qëne se është ajo që është, dëshiron t’u shmanget sfidave. Ne preferojmë çlirim pa kaluar përmes zjarrit dhe përmbytjes. Ne jemi si ata njerëzit që jetonin në një zonë të caktuar që ishte përmbytur nga ujrat e lumit. Qeveria dërgoi helikopterë që të nxirrte njerëzit nga shtëpitë e mbushura me ujë. Njëri pas tjetrit, helikopterët largoheshin të mbushur me njerëz.
“Sa njerëz jetojnë në këtë zonë?”- pyeti dikush dhe ata filluan t’i numëronin. Më shumë se 135 njerëz ishim nxjerrë, por vetëm 78 njerëz jetonin në atë fshat. “Çfarë po ndodh?”- pyeti kapiteni që drejtonte operacionin e evakuimit. Njerëzit po e shijonin aq shumë udhëtimin me helikopter, sa që ktheheshin me varkat e vogla, për të shijuar edhe një udhëtim tjetër me helikopter. Kështu!
Në rregull, cili është thelbi i programit të sotëm? Kur ju përballeni me periudha testimi, besim është të kapeni pas asaj që ju e dini se është e vërtetë dhe të ecni në dritën që Perëndia ju ka dhënë. Kjo do të thotë se ju nuk do të kuptoni gjithçka, por vazhdoni të besoni dhe të prisni për sigurimin dhe çlirimin e Perëndisë.
Një mendim përmbyllës: Kuptoni se, me kërkesën e Perëndisë për bindje të thjeshtë, vjen premtimi i Tij për të siguruar dhe për të mbrojtur. Për George Mueller, ishte të besuarit për më shumë se tetë milionë dollarë të shekullit 19-të, të nevojshëm për të ushqyer jetimët e Britanisë. Për ju, mund të jetë t’i besoni Perëndisë për bukën e përditshme, apo forcën për të kaluar edhe një ditë tjetër. Por lajmi i mirë është se Jezus Krishti është i njëjtë “dje, sot dhe përgjithmonë”. Ju mund t’i besoni Perëndisë! Ai do t’i përmbushë premtimet e Tij!