Shpëtimtari ynë i mëshirshëm është gjithmonë me ne në vuajtjet tona.
Vajtimet 3:22-26
Ne shpesh mendojmë për mirësinë e Perëndisë në terma të bekimeve të prekshme, por nuk duhet të ndiejmë se Zoti na do vetëm kur çdo gjë na shkon mirë. Në fakt, mirësia e Tij është më e madhe pikërisht në orët tona më të errëta (Isaia 43:1-2).
Një mënyrë se si Perëndia e shpreh mirësinë është nëpërmjet mëshirës së Tij. Përgjatë Ungjijve, e shohim Zotin të mbushur me dhembshuri dhe duke u shërbyer njerëzve që vuajnë. Mendoni për njeriun e pushtuar nga demonët që Jezusi takoi në vendin e Gadareasve– ai ishte i pushtuar si në mendje ashtu edhe në trup, duke u endur lakuriq mes varrezave (Luka 8:26-39). Njerëzit e atij vendi e kishin lidhur me zinxhirë dhe pranga, dhe e ruanin, jo për të mirën e tij, por për të mirën e tyre. Me sa dimë, askush nuk ishte përpjekur t’ia lehtësonte vuajtjet.
Por kjo është pikërisht ajo që bëri Jezusi. Jo vetëm që Ai i dëboi demonët; Ai gjithashtu e veshi burrin dhe foli me të. Mund të mendojmë se shërimi i mrekullueshëm ishte më se i mjaftueshëm, por misioni i Jezusit nuk kishte përfunduar derisa e ktheu burrin në normalitet duke u kujdesur për nevojat e tij fizike dhe duke e mirëpritur atë përsëri në komunitet. Kjo është mirësia e Perëndisë – dashuri pa kufi (Efesianëve 2:4-7).