Lavdërimi tërheq vëmendjen tonë në botën frymore – realitetin qiellor, shpirtëror, ku Zoti na bën thirrje për të jetuar dhe vepruar. Lavdërimi sjell gëzim në rrethanat e pafavorshme. Një gjë e mrekullueshme ndodh ndërsa ne e lavdërojmë Zotin për gjithçka që Ai është dhe që Ai bën. Ne e shohim më qartë të Vërtetën e natyrës së Tij. Ne shohim se Ai është Mbreti i pakufizuar, i shenjtë, i përjetshëm. Ne e shohim se Ai është i gjithëdijshëm, i urtë dhe i gjithëfuqishëm. Ne e shohim Atë si të dashur, të mëshirshëm dhe të durueshëm.
Kur vijmë tek Zoti me lavdi dhe adhurim, ne gjithashtu shohim më qartë të Vërtetën për veten tonë, duke përfshirë të Vërtetën e natyrës sonë mëkatare dhe të padenjë. Sa më shumë që kuptojmë gjithçka që është Zoti, aq më shumë përballemi me gjithçka që nuk jemi. Profeti Isaia na tha se ata që shpresojnë te Zoti fitojnë forca të reja dhe u kthehet energjia (shih Isaia 40: 28-31).
Por si e marrim këtë shpresë? Ne mbushemi me shpresë kur shikojmë se çfarë mund të bëjë Zoti, dhe jo atë që ka bërë njeriu. Shpresa buron kur përqendrohemi te aftësitë e Zotit, jo tek dobësia dhe paaftësia e njeriut. Shpresa buron kur ne e lavdërojmë Zotin për përsosmërinë e Tij – duke njohur dhe pranuar dhe besuar në gjithçka që Ai është – në vend që të nderojmë përpjekjet e dobëta dhe të papërsosura të njeriut.
Nëse jeni të rraskapitur në fund të ditës, mbylluni brenda për të kaluar kohë me Zotin. Lavdërojeni Atë me çdo grimë energjie që ju mbetet. Ju do të rifreskoheni, jo vetëm mendërisht dhe emocionalisht, por dhe fizikisht. Ka një forcë të veçantë që u jepet atyre që lavdërojnë Zotin. Kjo lloj forcë ju jep fuqinë e shpresës për të duruar, për të qëndruar, për të tejkaluar kohë të vështira. Kjo ju jep fuqinë për të ndërmjetësuar derisa Zoti t’ju japë depërtimin.
Lutja: Zot i Plotfuqishëm, Zot i shenjtë, Ti je i denjë për lavdërimin tim. Shpresa ime është tek Ti. Unë lutem në emër të Jezusit. Amen