30 Qershori është shpallur Social Media Day (Dita e Rrjeteve Sociale), për të kujtuar miqësitë e mëdha që njerëzit kanë lidhur nëpërmjet Facebook, Instagram, Twitter dhe platformave të tjera.
Kjo ditë u krijua nga shoqëria mediatike argëtuese dhe shumëplatformëshe, Mashable, në vitin 2010. Me seli në Nju Jork, Mashable u themelua në vitin 2005, nga Pete Cashmore.
Rrjetet sociale jo vetëm që lidhin njerëzit me familjarët dhe miqtë, por shumë njerëz fitojnë para falë tyre. Ndikimi socio-ekonomik dhe kulturor i rrjeteve sociale në vende ishte revolucionar dhe Social Media Day e njeh këtë fuqi.
Një arsye tjetër që nxiti Mashable të krijonte Social Media Day është vlerësimi i ndikimit që rrjetet sociale kanë në komunikimin në botë. Pavarësisht shqetësimeve që lidhen me rrjetet sociale, ato u kanë dhënë zë njerëzve të zakonshëm dhe u kanë ofruar atyre mundësi të ndryshme.
Platformat e rrjeteve sociale më të përdorura janë Facebook, Twitter, LinkedIn, Instagram, WhatsApp e TikTok. Platforma e parë e rrjeteve sociale ishte Friendster në vitin 2002, më pas lindi Linkedin në 2003 dhe Facebook në 2004.
Më i fundit në listë, me mjaft peshë në rrjetet sociale është TikTok. Aplikacioni, i prezantuar në 2016, u bë i famshëm veçanërisht te të rinjtë falë funksioneve të muzikës dhe videove.
Sipas një statistike të SmartinsIghts, më shumë se gjysma e popullsisë botërore përdor rrjetet sociale (58,4%, ose 4.62 miliardë persona), përdorimi mesatar në ditë është 2 orë e 27 minuta.
Rrjetet sociale kanë pasur një impakt të madh edhe në përhapjen e ungjillit. Ato kanë shërbyer jo vetëm si një metodë efektive, për të shpërndarë lajmin e mirë, tek adoleshentët dhe të rinjtë, por gjithashtu ato kanë ndihmuar mijëra njerëz në botë, të cilët nuk mund të ndjekin dot një kishë lokale. Gjatë kohës së pandemisë, rrjetet sociale u kthyen, në një domosdoshmëri për të ndarë Fjalën e Perëndisë. Sipas statistikave të ndryshme, numri i blogerëve të krishterë, është rritur me 4% vitet e fundit dhe impakti që ato kanë pasur në jetët e personave të pashpëtuar ka qenë i madh. Shumë të krishterë i përdorinin rrjetet sociale si një metodë për të organizuar takime lutjeje, duke u afruar kështu më shumë me trupin e Krishtit nëpër botë.