Zotimet e Vitit të Ri

Njerëzit kanë shumë qejf ta festojnë Vitin e Ri. Disa e festojnë atë me muzikë dhe me festa. Disa këndojnë këngë tradicionale rreth kohërave të vjetra dhe miqve të mirë. Disa të tjerë e festojnë qetësisht me familjen dhe miqtë e tyre. Ndërsa disa shkojnë në kishë ditën e Vitit të Ri. Njerëzit kanë mundësinë t’i kërkojnë njëri-tjetrit, dhe Perëndisë, falje për gjërat e këqija që ndodhën vitin e kaluar. Në këtë mënyrë, ata mund t’i lënë gabimet e tyre në vitin e vjetër, duke parë kështu, drejt të ardhmes. Ata mendojnë rreth mënyrës se si ta bëjnë vitin e ri më të mirë, ose më ndryshe, nga një vit më parë.

Një mënyrë e zakonshme se si njerëzit përpiqen t’ia fillojnë nga e para është duke bërë zotime për vitin e ri. Këto janë premtime që ata i bëjnë vetes së tyre. Zakonisht kjo përkthehet në një ndryshim të sjelljes ose në një objektiv të ri.

Për shembull:Këtë vit, unë premtoj të ha ushqim të shëndetshëm.

Këtë vit, unë premtoj të bëj më shumë ushtrime fizike.

Unë premtoj të jem e sjellshme me motrën time.

Premtoj që këtë vit ta kryej shkollën.

Ditën e parë të Vitit të Ri njerëzit ndihen shumë mirë për ndryshimet që shpresojnë të bëjnë. Por çfarë ndodh pasi ka kaluar një farë kohe? Ekspertët thonë se shumica e njerëzve nuk i mbajnë zotimet e tyre për një kohë të gjatë. Universiteti i Skrantonit në SHBA studioi zotimet e Vitit të Ri në 2014-tën. Ata zbuluan se një javë pas ditës së Vitit të Ri vetëm 75% e njerëzve i kanë mbajtur zotimet e tyre. Pas një muaji, ky numër ulet në 65%. Më pak se gjysma e njerëzve i mbajnë zotimet e tyre të Vitit të Ri për më shumë se gjashtë muaj.

Ka shumë arsye se përse shpesh njerëzit nuk i mbajnë zotimet e tyre. Arsyeja kryesore është që nuk është e lehtë të bësh ndryshime. Por ekzistojnë disa mënyra për ta bërë më të lehtë bërjen e ndryshimeve për mirë.

1. Jini realistë dhe të detajuar. Shumë njerëz vendosin objektiva që janë shumë të mëdhenj ose të paqartë. Zotimi juaj mund të jetë që të mësoni më shumë Anglisht. Por ju nuk e keni idenë se si do të ndodh kjo! Prandaj, më mirë merrni një zotim që është më i vogël dhe më i detajuar. Për shembull: “Unë do të flas anglisht çdo ditë”. Duke vendosur objektiva më të vegjël do t’ju ndihmojë juve të përmirësoheni pikërisht në atë gjë që doni të bëni. Gjithashtu përmes kësaj ju do të jeni në gjendje ta masni suksesin tuaj. Dhe kjo do të jetë inkurajuese.

2. Mundohuni të kini sa më shumë mbështetje. Kërkojuni njerëzve të tjerë t’ju ndihmojnë të mbani mend zotimet tuaja. Kur i bëni një premtim dikujt tjetër, mbahet mend më lehtë. Kjo do t’ju bëjë gjithashtu ta mbani zotimin tuaj. Disa njerëz marrin zotime me dikë tjetër. Për shembull, nëse dëshironit të bënit më shumë ushtrime fizike, mund të planifikoni të ushtroheni me një shok/shoqe. Kështu mund të nxisni njëri-tjetrin dhe gjithashtu të argëtoheni. Edhe nëse nuk keni askënd që t’ju ndihmojë ta mbani zotimin tuaj, ka faqe interneti të cilat ofrojnë ndihmë. Një faqe e tillë dërgon informacione inkurajuese rreth zotimit tuaj, si për shembull, informacion rreth ushtrimeve fizike. Madje faqja do t’ju dërgojë postë elektronike për t’ju ndihmuar të mbani mend zotimin tuaj.

3. Filloni një zakon të ri të shëndetshëm për të zëvendësuar të gjithë zakonet e pashëndetshme. Këto zakone të këqija mund të jetë konsumimi i ushqimeve të pashëndetshme ose luajta për një kohë të gjatë e video lojërave. Është e vështirë të ndalosh (ose të heqësh dorë nga) një zakon. Prandaj, më mirë zëvendësojeni me diçka tjetër. Për shembull, në vend që të hani gjëra të shpejta që nuk janë të shëndetshme, planifikoni të hani gjëra të shëndetshme. Merrni një zotim që të hani më shumë fruta dhe perime. Ose në rastin e lojërave elektronike, zëvendësojeni këtë zakon me diçka më të shëndetshme. Merrni një zotim që të bëni më shumë ushtrime fizike. Gjatë orarit që do të luanit me video lojëra, më mirë luani një sport me miqtë tuaj. Megjithatë, ndonjëherë një zakon i keq është më shumë sesa thjesht një zakon. Ndonjëherë një zakon i keq është në të vërtetë një varësi. Substancat e tilla si duhani dhe alkooli mund të shkaktojnë varësi, që do të thotë se trupi dhe mendja e personit varen tek këto substanca. Për shembull, kur hiqni dorë nga pirja e cigareve, mund të ndiheni keq, të sëmurë, dhe ju shkon mendja keq për cigare. Ndalimi i një varësie është shumë herë më i vështirë sesa ndalimi i një zakoni të keq. Nëse jeni duke hequr dorë nga një varësi, kërkoni më shumë ndihmë. Na shkruani ose vizitoni faqen tonë për më shumë ide.

4. Gjithashtu është mirë të kujtojmë se askush nuk është i përsosur. Edhe nëse dështojmë një ditë, mund të vazhdojmë të punojmë me zotimet tona. Bibla përdor fjalën ngulmim kur flet për mbajtjen e premtimeve. Ngulmim do të thotë të vazhdosh të bësh diçka edhe nëse është e vështirë. Një person, që të ngulmojë, ka nevojë të jetë i duruar dhe i fortë. Por neve nuk na duhet të luftojmë vetëm. Bibla thotë gjithashtu se Perëndia do të jetë me ne dhe do të na ndihmojë: “Sepse unë i njoh mendimet që kam për ju”, thotë ZOTI, “mendime paqeje dhe jo të së keqes, për t’ju dhënë një të ardhme dhe një shpresë”.

Është e lehtë të ngulmojmë me këtë shpresë. Njerëzit mund t’i harrojnë zotimet e tyre të Vitit të Ri ose mund të duan të heqin dorë. Por të gjithë mund të mbajmë mend këto ide të dobishme: Vendosni objektiva të detajuar dhe kërkoni ndihmë nga miqtë. Filloni zakone të reja të mira ndërsa hiqni dorë nga ato të vjetrat të këqija. Kujtojini vetes dhe të tjerëve që nuk jeni vetëm. Dhe me ngulmimin, ndryshimet e mira mund të zgjasin për gjatë gjithë vitit.

Ndani përshtypjet tuaja me ne

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
Rreth Radio 7

Radio 7 hyri në tregun radiofonik shqiptar si një media që sjell një këndvështrim pozitiv për jetën! Radio 7 është një zë pozitiv përmes përzgjedhjeve muzikore të përditshme, programeve informative, educative dhe sociale. Ne përdorim parimet biblike në thelb të përmbajtjes së programeve tona, me dëshirën për të parë një shoqëri shqiptare ku vlerat mbrohen. Stafi dhe programet e realizuara i japin një rëndësi të veçantë mirëqënies fizike, emocionale dhe shpirtërore të çdo personi.

Licensuar në nëntor te vitit 2001, Radio 7 fillon transmetimet në 17 maj 2002 me një transmetues në malin e Dajtit, nga një studio modeste dhe me pjesën më të madhe të stafit si vullnetarë.

Është quajtur Radio 7 sepse simbolika biblike e numrit 7 është “dita e pushimit dhe paqes fizike dhe shpirtërore.” Nëpërmjet transmetimeve të saj Radio 7 kërkon t’ju jap dëgjuesve pushim dhe paqe pavarsisht se sa e zhurmshme është dita në qytetet ku jetojmë.

Radio 7 transmeton në Tiranë në frekuencën 97.7 fm, e duke filluar që nga vitet 2005-2007 jane shtuar 2 transmetues te rinj, nje ne Ardenice me qellim mbulimin me sinjal te ultesires perendimore dhe nje tjeter ne Petresh per mbulimin me sinjal te zones se Elbasanit. Sot Radio 7 transmeton ne tre frekuenca, 97,7 FM ne Tirane, 102,3 ne Elbasan dhe 88,2 ne Ardenice. Ne vitin 2009, Radio 7 ka filluar transmetimet ne internet ne www.radio-7.net.


Free!

REGJISTROHUNI