Kemi bërë, kemi mbajtur dhe kemi thyer shumë premtime për të cilat jemi zotuar në vitin e ri. Shpesh, as nuk i mbajmë mend shumicën prej tyre. Dikush mund të ketë vendosur për shembull në fillim të vitit, të mos konsumojë më pije me gaz. Edhe pse kjo gjë mund të reduktojë disa kalori, nuk ka ndonjë vizion të qartë pas këtij vendimi. Ndaj duhet të mendohemi mirë, përpara se të marrim një vendim. Është e nevojshme të mendohemi,e të mos bëjmë zgjedhje që nuk kanë shumë kuptim. Jeta jote është e rëndësishme, e për këtë arsye ti duhet të zgjedhësh të investosh tek vetja dhe tek aftësitë e tua, për të pasur një ndikim tek njerëzit e tjerë . Ja tek janë tri mënyra që rezoluta jote të jetë e vlefshme.
1.Rezolutat nuk janë vetëm për ty
Duket se njerëzit fillojnë të shkruajnë me “unë” kur vjen puna tek rezolutat. Me sa duket, ne mendojmë shumë për veten. Rezolutat që ju bëjnë të përqendroheni vetëm tek vetja juaj, nuk janë ato më argëtueset apo emocionueset. Perëndia na ka krijuar që ne të qëndrojmë të lidhur me të tjerët. Një rezolutë e Vitit të Ri, është një mundësi për të pasur ndikim, e për të bërë një ndryshim që shkon përtej vetes tënde. Ti mund të ndryshosh diçka për komunitetin tënd, duke bashkëpunuar për të plotësuar nevojat që njerëzit mund të kenë. Bëj një rezolutë që do të ndihmojë të kesh ndikim tek të tjerët.
2. Rezolutat duhet të jenë të thjeshta
Jetët tona, tanimë janë shumë të komplikuara. Ky vit, në vend që të shtojë gjëra që mund ta komplikojnë jetën, mund të jetë një inkurajim për ta thjeshtuar atë. Mundohu që të dhurosh nga gjërat që ke, në vend se të blesh gjëra të reja. Ndalo diçka, në vend se të nisësh diçka të re.
3. Rezolutat janë të lidhura me atë që ti je
Një rezolutë e vitit të ri, është një mënyrë e shkëlqyer për të eksperimentuar me atë çfarë ti realisht do që të bësh në botë për njerëzit e tjerë. Rezolutat më të mira që mund të bësh janë të lidhura me atë që ti je, me mënyrën sesi Perëndia të ka bërë. Kërko të kuptosh se për ku po të thërret Zoti që të ndikosh. Mos u shqetëso se si mund ta bësh këtë . Thjesht vendos rezolutën tënde të vitit të ri dhe ktheje atë në një eksperiment, për të parë se si ndihesh kur bën gjërat që kanë me të vërtetë kuptim për ty. Është vetëm një rezolutë, ti nuk je i lidhur pas saj. Mund t’ia dalësh, mund edhe të dështosh. Mos e konsidero një problem shumë të madh këtë.
Merre si një eksperiment, për të parë se si ndihesh, kur përpiqesh që të vësh në jetë disa prej gjërave që i ke brenda vetes dhe që mund të ndihmojnë edhe të tjerët. Kjo është mundësia jote për të ndihmuar të tjerët. Kush mund ta dijë? Rezoluta e këtij viti, mund të jetë fillimi i diçkaje shumë të madhe.