Kur dhimbja bëhet e padurueshme, kërkojini Perëndisë t’ju mësojë se si të mbështeteni në forcën e Tij.
2 Korintasve 1:1-11
Kur jeta bëhet e vështirë, si reagoni? A filloni të dyshoni Zotin, duke pyetur veten pse Ai do të lejonte atë fatkeqësi të ndodhte në jetën tuaj? Apo i drejtoheni Atij, duke kërkuar të kuptoni më mirë rrugët e Tij dhe të forcoheni në besim?
Kur ishin në Azi, Pali dhe Timoteu u përballën me vështirësi dhe përndjekje. Pasazhi i sotëm thotë se ata “u rënduan, përtej fuqisë së [tyre]” (vargu 8). Por ata zgjodhën të vendosnin shpresën e tyre te Zoti dhe besuan se Ai do t’i ngushëllonte në pikëllimin e tyre.
Pali shkruan: “Sepse, ashtu si ndër ne teprojnë vuajtjet e Krishtit, po ashtu, nëpërmjet Jezu Krishtit, tepron edhe ngushëllimi ynë.” (vargu 5). Apostulli u shpjegoi besimtarëve korintas se sprovat që kaluan ai dhe Timoteu i mësuan ata të mbështeteshin te forca e Perëndisë, dhe jo tek forca e tyre. Të përforcuar nga besnikëria e Perëndisë në të kaluarën dhe nga lutjet e besimtarëve të tjerë, ata vazhduan të shpresonin.
Të gjithë do të përballemi me vështirësi në një moment apo në një tjetër. Dhe kur kjo të ndodhë, le të përpiqemi të reagojmë njësoj si Pali dhe Timoteu—duke besuar te Zoti, edhe pse dhimbja jonë mund të bëhet e padurueshme. Kërkojini Zotit t’ju ngushëllojë. Fuqia e tij është e pashembullt dhe e disponueshme për çdo besimtar.