Jozueu e dinte se çfarë do të thoshte të ishte kundër kulturës përreth. Sot, ne kemi nevojë për një brez të tërë si Jozueu—burra e gra që do të qëndrojnë me guxim në premtimet e Zotit dhe do t’i mësojnë fëmijët e tyre ta njohin, ta nderojnë dhe t’i besojnë Atij.
Lexoni Gjyqtarët 2:8-15. Bibla na thotë: “Pastaj Jozueu, bir i Nunit dhe shërbëtor i Zotit, vdiq në moshën njëqind e dhjetë vjeç,… Kur tërë ai brez u bashkua me etërit e vet, mbas atij doli një brez i ri që nuk e njihte Zotin, as veprat që kishte bërë për Izraelin.” (Gjyqtarët 2:8, 10). Brezi që pasoi Jozueun e dinte se çfarë kishte bërë Zoti për etërit e tyre, por në vend që ta ndiqnin me pasion Perëndinë për veten e tyre, bënë të kundërtën. Ata nuk arritën ta mbanin Perëndinë në qendër të shtëpive të tyre. Si rezultat, fëmijët e tyre u rritën dhe “nuk e njihnin as Zotin dhe as atë që Ai kishte bërë”.
Ka shumë prindër që duan t’u japin fëmijëve të tyre gjithçka, e megjithatë, ata harrojnë atë që është më e rëndësishmja: t’i stërvitin të jenë ushtarë të fuqishëm për Perëndinë, t’u kujtojnë atyre fuqinë e Zotit që vepron brenda tyre, i cili i forcon të bëjnë gjëra të mëdha për Të. Sa shpesh i nxisim fëmijët tanë të arrojnë suksesin e kësaj bote në vend të suksesit të përjetshëm?
Shumë kisha ofrojnë të gjitha llojet e argëtimeve dhe përvojave për brezin e ardhshëm, por nuk i nxisin ata të bëhen gjigantë për Krishtin mes bashkëmoshatarëve të tyre, të kryejnë gjëra të mëdha për Të ose të ndryshojnë botën për Jezusin. Nëse neglizhojmë të sfidojmë brezin e ardhshëm për t’i shërbyer me guxim Perëndisë, ne po mëkatojmë kundër tyre.
Ashtu si Jozueu, edhe ne kemi një përgjegjësi për të qëndruar në këmbë kundër valës në rritje të një kulture që ka harruar Perëndinë. Kemi nderin e madh të deklarojmë: “Sa për mua dhe shtëpinë time do t’i shërbejmë Zotit” (Jozueu 24:15). Kur Zoti është në qendër të jetës familjare, Ai e bekon, e udhëheq dhe e mbron atë familje.
Tani është koha. Nuk mund të presim që një brez tjetër ta bëjë këtë.
Lutje: Atë, na fal që kemi neglizhuar t’i drejtojmë fëmijët drejt asaj që është më e rëndësishme. Na ndihmoni të rrënjos të Vërtetën Tënde në zemrat e tyre dhe t’i nxis ata të jetojnë për Ty. Në emër të Jezusit lutem. Amen.
“Sa për mua dhe për shtëpinë time do t’i shërbejmë Zotit” (Jozueu 24:15).