Sa shpesh ndihesh sikur jeta është shumë e vështirë? Edhe nëse nuk është, nuk do shumë kohë që vetë ta vështirësojmë atë. P.sh. edhe kur duam të organizojmë një festë të vogël me miqtë tanë në shtëpi, përfundojmë duke ftuar aq shumë njerëz sa nuk dimë si t’ia dalim në fund. Si pasojë e kësaj i hapim më shumë punë vetes dhe familjes. Por cila është zgjidhja për këtë? Ne besojmë që përgjigja është të Luka 18:17 që thotë “Në të vërtetë po ju them se ai që nuk e pranon mbretërinë e Perëndisë si një fëmijë i vogël, nuk do të hyjë atje“. Këtu i gjithë theksi është te fjala i vogël. Kur fëmijët rriten, edhe ata fillojnë t’i vështirësojnë më shumë gjërat. Por kur janë të vegjël, nuk e bëjnë këtë. Fëmijët e vegjël nuk janë të komplikuar. Ata nuk jetojnë duke u përpjekur që t’u bëjnë përshtypje të tjerëve. Dhe kështu ata mund të na mësojnë se si ta shijojmë jetën. Ja se si:
- Leri gjërat të shkojnë
Një karakteristikë e fëmijëve është se ata falin shumë. Fëmijët grinden në një minutë për një lodër dhe në minutën tjetër i sheh duke u përqafuar. Në fakt të urresh njerëzit është barrë e rëndë. Mund të mbajmë mëri, të jemi të hidhur, të nxehur, të zemëruar dhe të ofenduar. Dhe sa herë e shohim personin me të cilin jemi grindur sillemi me servilizëm e flasim pas shpinës më vonë. Por mos e harxho jetën tënde duke varur turinjtë për disa gjëra të padrejta që të kanë ndodhur. Trajtoji gjërat më thjeshtë.
- Ëndërro
Një gjë tjetër që ua lehtëson jetën fëmijëve është se ata besojnë lehtë. Ata besojnë në magji dhe përralla. Ata nuk e kanë problem të krijojnë miq imagjinarë apo një jetë të mrekullueshme të fantazuar prej tyre. Në librin të titulluar Zoti është më afër nga sa ti mendon, John Ortberg shkruan për një vajzë e cila thoshte se e dinte që Jezusi jetonte në zemrën e saj sepse kur e vendoste dorën e saj në gjoks, ndiente hapat e Tij. Tani, ne si të rritur e dimë që ajo ndiente thjesht rrahjet e zemrës. Por ajo vërtet e ndiente Zotin në mënyrën e saj fëminore. Dhe kur e mendon këtë, ajo vajzë kishte të drejtë sepse rrahja e zemrës është një shenjë që ti ke jetë brenda teje. Si të rritur, ne kemi nevojë të zhvendosemi në mbretërinë e Perëndisë dhe të ëndërrojmë. Duhet të sjellim gëzim në jetët tona. Ky është një e drejtë dhe një privilegj për ne si fëmijë të Perëndisë.
- Mblidhi lodrat e tua
Disa prej nesh i lehtësojnë jetët e tyre shumë thjesht, pa e përdorur shumë imagjinatën. P.sh shkojnë në shtëpi dhe e rregullojnë. Këtë bëj edhe ti, mbaj vetëm gjërat që përdor dhe ato që do. Të tjerat largoji.
- Përqendrohu
Një mënyrë tjetër se si ta lehtësosh jetën është të bësh një gjë, jo shumë gjëra në të njëjtën kohë. Të bësh shumë gjëra njëherësh është në modë, por ne duhet të fokusohemi në atë që po bëjmë.
- Kërkoja babait
Dhe në fund, ti mund ta bësh jetën më të lehtë duke e besuar që Zoti të do dhe i dëgjon lutjet e tua. Filipianëve 4:6 thotë: “Mos u shqetësoni për asgjë, por, në çdo gjë, ia parashtroni kërkesat tuaja Perëndisë me anë lutjesh dhe përgjërimesh, me falenderim.” Nëse do diçka, kërkoja Perëndisë. Nëse është e drejtë, Ai do të ta japë. Nëse nuk është, dije ai ka diçka më të mirë. Është me të vërtetë kaq e thjeshtë. Të inkurajojmë që të mos dyshosh te Perëndia por ta besosh Atë me zemrën tënde. Ji pak më shumë si fëmijët për tu përshtatur me jetën. Ku i dihet, mund të ndiesh Jezusin që po ecën brenda kraharorit tënd.