Ç`dobi do të ketë njeriu të fitojë gjithë botën, nëse më pas do të humbë shpirtin e vet? Marku 8:26
Presidenti dhe menaxheri i përgjithshëm i një kompanie prodhimi, mësoi se kompania e tij kishte prodhuar një produkt me cilësi shumë të dobët. Një reporter televiziv, dëshironte një intervistë që fokusohej mbi këtë problem. Ky drejtues kishte tre zgjedhje: 1. Ai mund të mohonte që problemi ekzistonte ( gjë që nëpunësit e tij ja sugjeruan). 2. Ai mund të largohej nga dera e pasme dhe të linte një punonjës që të mundohej ta zbuste problemin. 3. Ai mund të përballej me zhurmën që do të shkaktohej, duke e pranuar problemin dhe duke dhënë një zgjidhje për të- e kjo ishte ajo që bëri. Ky është integriteti. Një administratori të një agjencie pronash, ju ofrua një ryshfet i konsiderueshëm për të shtyrë një projekt të caktuar, por ajo çfarë nuk dinte burri që ofroi këtë shumë parash, ishte se i njëjti administrator kishte nënshkruar një rekomandim nëpërmjet të cilit bordi kishte marrë vendimin që punimet e projektit të fillonin menjëherë. Për një moment të shkurtër, administratori kuptoi se mund të merrte lehtësisht paratë dhe askush nuk do të merrte vesh për këtë. Ai i refuzoi paratë dhe e raportoi këtë ofertë. Ky është integriteti.
Një vizitë e shkurtër në një fast food, rezultoi shumë më fitimprurëse, se sa thjesht porositja e një tako, për një rezident të asaj zone. Në të njëjtën çantë, bashkë me porosinë ishte futur gabimisht edhe e gjithë xhiroja monetare e ditës së djeshme. Kur burri hapi këtë çantë për të marrë prej andej porosinë e tij, ai gjeti paratë, e menjëherë u kthye për nga restoranti dhe ktheu atje lekët. Ky është integritet.
Një studiueseje, ju kërkua që të vendoste emrin e saj mbi një dokument i cili përmbante të dhëna të rreme dhe rezultate të pavërteta. Edhe pse ajo nuk do të ishte e përfshirë direkt në këtë çështje, ndërgjegjja e saj ishte e shqetësuar. Punëdhënësit e saj e kërcënuan se do ta shkarkonin nga puna nëse nuk do të bashkëpunonte, por ajo refuzoi të firmoste dokumentin. Ky është integriteti.
Fjala integritet vjen nga një tjetër fjalë e cila ka kuptimin ndershmëri. Në terma të thjeshtë, është mënyra se si je, që të bën të veprosh ashtu siç vepron. Ndonjëherë integriteti as nuk vlerësohet, e as nuk shpërblehet, sidomos kur individë të tjerë mendojnë se rruga drejt suksesit është të dish si të mbijetosh, pavarësisht mënyrave. Kohët e fundit, teksa bëja pagesën me anë të kartës sime të kreditit për një libër që bleva, djali i ri që po kryente transaksionin, më ktheu faturën e gabuar, çka do të thoshte se ai do të kishte faturën e dorëzimit, ndërsa unë do të kisha të gjithë shumën e pagesës. Ndërkohë që po ja vija në dukje diçka të tillë, i thashë, “Nëse nuk e ke këtë faturë që më ke dhënë mua, kompania jote nuk mund t’i marrë lekët”. Djali i ri thjesht i këmbeu faturat, pa më thënë asnjë fjalë falënderuese, e unë brenda vetes mendova, “Pse u shqetësova kot? Ai as nuk donte t’ia dinte!” E më pas nisa të mendoj mbi të gjithë çështjen e integritetit. Të bësh atë që është e duhur sepse e di që do të falënderojnë, nuk është një pasqyrim i vërtetë i integritetit; në vend të kësaj, integriteti është të bësh gjënë e duhur, thjesht sepse është gjëja e duhur për t’u bërë. Ditët e fundit kam kaluar një kohë të konsiderueshme në vende komuniste, ose që kanë pasur një të shkuar komuniste dhe kam vënë re se ka një mungesë të moralit dhe të integritetit, kur Perëndia lihet jashtë ekuacionit të jetës, kam ardhur në konkluzionin se integriteti është pjesë e fabrikës morale, e që bazohet tek përgjegjësia përfundimtare që ke përpara Zotit- e cila, më bën mua të përgjegjshëm si fqinj, apo si mik. Kur ti bën diçka vetëm se shpërblehesh, apo se të falenderojnë, ti ke një lloj reagimi ndaj situatës, që ngjan me eksperimentin e Pavllovit; por kur ti e bën diçka të mirë sepse ndërgjegjja jote ta kërkon këtë gjë, ti je i motivuar prej integritetit.
Zgjidhjet e shpejta, rrugët e shkurtra, e ndjesia se ti po largohesh duke marrë me vete diçka që është e vlefshme, e çojnë shoqërinë në degradim moral. Pavarësisht nëse djalit të cilit i ktheva faturën e librit, nuk i interesonte shumë nëse kompania e tij i merrte lekët apo jo, kjo nuk ishte e rëndësishme. Ajo çfarë ishte e rëndësishme, ishte që unë isha i interesuar dhe që u tregova i vërtetë me ndërgjegjen time.