“Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri-tjetrin” (Gjoni 13:34a). Ndoshta mund të mendojmë: “Si mund të jetë ky një urdhërim i ri? A nuk e identifikoi Jezusi tashmë urdhërimin e parë dhe të dytë më të rëndësishëm, të duash Perëndinë dhe të afërmin porsi vetveten?” (shihni Mateu 22:35-40). Por, Jezusi na jep përgjigjen në pjesën vijuese: “sikurse unë ju kam dashur, ashtu edhe ju ta doni njëri-tjetrin.” (Gjoni 13:34b). Kjo ishte diçka e re. Askush nuk kishte përjetuar ndonjëherë një dashuri si dashuria e Jezusit. Dashuria e tij është përtej çdo gjëje që bota ka njohur ndonjëherë. Pastaj Jezusi u mëson atyre: “Prej kësaj do t’ju njohin të gjithë se jeni dishepujt e mi” (vargu 35). Miq, ne duhet të duam si Jezusi. Do të njihëmi si dishepujt e Tij kur të bëhemi të ngjashëm me Të.
Përpara se Jezusi të ndajë këtë urdhërim me dishepujt, Ai u jep atyre një pamje të qartë të llojit të veprimit që shfaq dashurinë e Tij të pashoqe. Në mes të kohës së ngrënies, Jezusi ngrihet dhe u lan këmbët dishepujve të Tij. Në atë kohë, njerëzit ose ecnin zbathur ose mbanin sandale të dobëta por shkelnin edhe atje ku kafshët kishin shkelur.
Në ato ditë, puna e larjes së këmbëve ishte përgjegjësi e shërbëtorit të shtëpisë. E megjithatë Jezusi, Mbreti i mbretërve, Alfa dhe Omega, ngjeshi një peshqir dhe fillon t’u lajë këmbët. Kjo është një pamje e mahnitshme. Por Jezusi e di se Juda tashmë ka pranuar ta tradhtojë Atë (shihni Lluka 22:3-6; Mateu 26:14-25). E megjithatë Jezusi ia lan këmbët.
Me thënë të vërtetën, të gjithë dishepujt e braktisin Atë pak më vonë. E megjithatë, Jezusi “i deshi ata deri në fund” (Gjoni 13:1). Dashuria e tij nuk është e vdekshme. Dashuria e tij nuk është egoiste dhe as posesive. Dashuria e Krishtit është një dashuri krejt e re, e mbinatyrshme, e pashoqe për të gjithë botën. Është një dashuri që ne, si dishepuj të Tij, jemi thirrur ta praktikojmë.
Megjithatë, nuk e kemi nga vetja këtë lloj dashurie. Ne mund të duam në këtë mënyrë vetëm kur lejojmë dashurinë e Perëndisë të rrjedhë përmes nesh, e cila kërkon varësi të plotë nga Fryma e Shenjtë.
Kjo lloj dashurie nuk është e lehtë.Por kur të mbajmë para nesh dhuratën e jashtëzakonshme të hirit të Perëndisë – gjithçka që Perëndia na ka falur –do të jemi gati të japim të njëjtin hir tek ata që na rrethojnë.
Lutje: Atë, përulësia dhe dashuria jote janë mahnitëse. Më jep këtë lloj dashurie për të tjerët me anë të fuqinë së Frymës Tënde. Dua që të jem një kanal i dashurisë Tënde për ata që Ti sjell në jetën time. Në emër të Jezusit lutem. Amen.
” Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri-tjetrin; sikurse unë ju kam dashur, ashtu edhe ju ta doni njëri-tjetrin. ” (Gjoni 13:34).