Streptokoku është shkaktari kryesor i sëmundjes së bajameve, skarlatinës, etheve reumatizmale, por dhe ndërlikimeve më serioze si sëmundje të veshkave, zemrës, etj.Streptokoku është një mikroorganizëm bakterial që shkakton sëmundje infektive tek njerëzit dhe kafshët. Në një intervistë për TV7 Albania, Najada Gjylameti mjeke mikrobiologe në Laboratorin e Mikrobiologjise në Q.S.U.T “Nënë Tereza” shpjegon rrezikshmërinë e këtij infeksioni tek fëmijët.
“Streptokoku i fytit është një infeksion bakterial që shkaktohet nga një bakter që kryesisht prek bajamet dhe murin e pasëm të faringut. Ndonjëherë, infeksioni mund të zbresë edhe pak më poshtë dhe të prekë laringsin(kordat vokale). Është një infeksion që takohet shpesh tek fëmijët. Grupmosha më e prekur është 3-14 vjeç. 36% e infeksioneve të fytit në këtë peirudhë kanë lidhje me streptokokun e fytit. Ky infeksion prek edhe rriturit”, thotë Gjylameti.
Sipas mjekes, janë një sërë faktorësh që ndikojnë në shfaqjen e këtij infeksioni. “Infeksioni është shumë i shpeshtë në kopshte e çerdhe. Jeta kolektive ndikon në përhapjen e infeksionit nga njëri tek tjetri. Rruga e përhapjes së këtij infeksioni është kontakti i ngushtë nëpërmjet rrugës proklo-ajrore nga njëri tek tjetri. Po kështu, edhe jeta në familje. Përdorimi i enëve të guzhinës së përbashkëta, janë një faktor në përhapjen e tij. Një tjetër faktor përbën klima e ftohtë. Infeksioni favorizohet veçanërisht gjatë vjeshtës”.
Shenjat kryesore nisin me shqetësimin në fyt, më pas sipas mjekës vazhdon me temperature mbi 38 gradë.“Shpeshherë, këta pacientë kanë tonsila të zmadhuara, dhimbje të kokës, dhimbje barku, mungesë oreksie etj. Por, jo gjithmonë një kuadër i tillë klinik na bën të dyshojmë për infeksionin e streptokokut. Ka infeksione të tjera që japin një klinikë të ngjashme me streptokokun. Kështu mund të përmendin infeksionet virale, difterinë,tiroiditet e shumë patologji të tjera”.
Sipas Gjylametit, shenjat klinike nuk janë të mjaftueshme për vendosjen e diagnozës. Sipas saj, nevojitet teste laboratorike që kërkojnë një teknikë të veçantë.“Bëhet një test laboratorik që konfirmon diagnozën. Pacienti duhet të këshillohet me mjekun pediatër apo mjekun e familjes për kryerjen e testit. Është e rëndësishme që ky test të kryhet para fillimit të trajtimit me antibiotikë. Testi kryhet në mëngjes, esëll, pa larë dhembët. Përmes analizës bëhet vlerësim sasior i baktereve të streptokokut, për të diferencuar që janë të infektuar, nga ana që mbartin streptokokun”.
Mjekja shton më tej se materiali rekomandohet të merret nga persona të specializuara. “Materiali rekomandohet të merret nga persona që janë të specializuar sepse sa më mirë të merret materiali, aq më të sigurt jemi për vërtetësinë e analizës. Procedura aplikohet me një tampon steril mbi sipërfaqen e tonsilave(bajameve) dhe murin e pasëm të faringsit. Është shumë e rëndësishme që materiali të mos merret në gjuhë dhe në mukozën e gojës sepse nuk ka vlerë. Më pas bëhet mbjellja, kultura e fytit. Në rastet kur pacienti ka marrë antibiotik, në këtë rast do të merrnin një resultat fals”, përfundon mjekja për TV7 Albania.
Për të ndjekur intervistën e plotë, mund të klikoni në linkun e mëposhtëm: