Dhe kur këto të fillojnë të ndodhin, shikoni lart dhe ngrini kokat tuaja, sepse çlirimi juaj është afër. ( Luka 21:28)

Më fal, a mund të të pyes, “ Si je sot?” Jo, mos më thuaj thjesht “Jam mirë” apo “çdo gjë në rregull”. Ti mendon se kjo është përgjigja që unë dua të dëgjoj. Tregohu i ndershëm për një moment dhe më thuaj se si je me të vërtetë.  Ndoshta, një përgjigje e ndershme do të ishte, “ Jam i lodhur, i kam nervat e shkatërruara; fëmijët po më çmendin, e kam për të bërë  dyfishin e gjërave që më duhet të bëj zakonisht. Kjo është gjendja në të cilën jam.”  Epo, fundja unë do ta quaja këtë një përgjigje të ndershme. Mundohu t’ia thuash këto gjëra personit që të pyet “si je?” dhe shiko nëse ai të pyet sërish.

Ne harxhojmë shumë kohë me gjëra të pakuptimta, që besojmë se na sjellin kënaqësi.  Në fakt mënyra se si jemi dhe se si ndihemi është një çështje shumë e rëndësishme. Sot, njerëzit përballen me presione me të cilat asnjë brez më përpara nuk është përballur. Përpara vitit 1945, bota nuk mund të shkatërrohej vetëm me dekretin e një njeriu, e as armët bërthamore nuk mund të zhduknin popullsi të tëra. Sot me qindra mijëra burra dhe gra ndihen të kërcënuar nga kjo gjë, ka njerëz në çdo qytet të botës që i tremben rrezikut të armëve bërthamore e që e kanë të vështirë të jetojnë me këtë ide.

Ne jemi bërë një brez i varur nga droga, jemi gjithmonë me nxitim por as nuk e dimë se ku shkojmë, kemi zemra të mbushura me frikë dhe trupa të lodhur.  Kushtet e mundimshme në të cilat gjendet bota, kanë bërë që shumë njerëz të mendojnë sërish për disa nga pyetjet bazike mbi ekzistencën. Kush është qëllimi i gjithë  kësaj? Përse ndodhem në këtë planet që quhet tokë, duke ecur përmes hapësirës me një shpejtësi fantastike? Çfarë ka përtej yllit më të largët, drita e së cilit për të na arritur ne në tokë, udhëton me 186,400 milje në sekondë?

Për shkak të kushteve në të cilat gjendet bota jonë, shumë mund të kenë nisur të pyesin, “Ku është Perëndia, kur ne kalojmë kaq shumë shqetësime?” Apo duhet të pyesim, a kanë ardhur të gjitha problemet si pasojë e faktit se njeriu nuk e ka përfshirë Perëndinë në planet e tij, në jetën e tij, në martesën e tij, në shtëpinë  e tij, e sigurisht as në zemrën e tij? Historiani H.G. Wells e shihte jetën nga perspektiva e dikujt që ka dijeni mbi historinë. Ai  ka thënë, “ Derisa një njeri të gjejë  Zotin, ai nuk e di se prej ku nis ekzistenca e tij dhe stërmundohet pa fund deri në fund të ditëve të tij pa e ditur se ku po shkon.”

Disa njerëz mundohen që ta shtyjnë Perëndinë jashtë jetës së tyre, madje edhe jashtë universit. Ata përfundojnë në hedonizëm ( të kërkuarit e kënaqësisë), në pyetje pa fund dhe në boshllëk. Augustini, në shekullin e 5-të ka thënë “ Ti na ke krijuar për veten o Perëndi, e zemra jonë është e shqetësuar deri sa e gjen veten e saj tek Ty.“

Për disa, besimi është një patericë. Këta njerëz  mendojnë se është një supozim mbi të cilin mbështeten njerëzit e dobët.  Për ju që jeni skeptikë, a mund të ndaj me ju një mendim që më vjen nga zemra ime? Kam mësuar se besimi nuk është një kërcim në errësirë, por një hap drejt dritës.

Besimi është gjëja më e arsyeshme në botë. Është bazuar mbi zbulesën e Perëndisë tek lloji i njeriut në botë. Kjo zbulesë është materializuar në një dokument, të mbështetur në të dhënat e gjetura në dorëshkrime, ky dokument është quajtur Bibël.

Historia e provon më shumë  besimin  tim, sepse është në koherencë të plotë me pohimet e bëra në Shkrim. Psikologjia gjithashtu konfirmon besimin tim, sepse më thotë se natyra e njeriut ngelet e pandryshueshme nëse është e ndarë nga  Perëndia. Të njëjtën gjë thonë dhe Shkrimet.  Gazeta ime vazhdon të afirmojë besimin tim, sepse më sjell ngjarjet që po ndodhin në Lindjen e Mesme, e po ashtu edhe trendet që po njeh bota, më konfirmojnë deklaratat profetike të bëra me qindra vite më parë.

Do të kishte qenë një shaka e tmerrshme, nëse Perëndia do të na kishte krijuar dhe do të na linte këtu vetëm e të izoluar. Por fakti që Zoti e krijoi njeriun dhe pastaj tregoi se Ai interesohet për Të, më siguron se Ai është një Perëndi i dashur, i cili nuk qëndron indiferent ndaj nevojave tona. Lexoni Biblën  për të zbuluar se çfarë ndodhet përpara për ju dhe botën tuaj.

Ndani përshtypjet tuaja me ne

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
Rreth Dr. Harold J. Sala

Folësi, autori dhe mësuesi i Biblës Dr. Sala, ka themeluar Guidelines në vitin 1963. Programi i tij i përditshëm Koment për jetën, dëgjohet në mbarë botën në gjuhë të ndryshme. Sala është autori i 60 librave në 19 gjuhë të ndryshme. Ai flet dhe mëson shpesh në konferenca dhe seminare në kishat në mbarë botën.


Free!

REGJISTROHUNI