Misionarja nga Brazili, Najua Diba do të njihej me Shqipërinë dhe historinë e veçantë të popullit tonë, gjatë kohës kur ishte pjesë e një grupi lutjeje në Brazil. Në shkurt të vitit 1979, ajo ndjeu thirrjen e Zotit për të ardhur në Shqipëri dhe për të ndarë Ungjillin me popullin shqiptar dhe pse vendi ynë ishte i mbyllur për shkak të komunizmit. Herën e parë, Najua do të vizitonte vendin tonë si turiste, si pjesë e një grupi nga Anglia do të lutej për Shqipërinë. Lutjet e saj të zjarrta për Shqipërinë dhe për popullin tonë bënë që ajo të jetonte dhe shërbente në Kosovë për katër vjet, gjatë të cilave priste me padurim ditën kur të shkelte në Shqipëri.
Pas disa vizitave vit pas viti, përfundimisht në Prill të vitit 1991 ajo vendosi të qëndronte dhe shërbente në Shqipëri. Me të mbërritur në vendin tonë, ajo filloi të ndante Ungjillin shtëpi më shtëpi. Shumë nga ata që dëgjuan Ungjillin dhe e pranuan Jezusin si Shpëtimtar janë ende duke i shërbyer atij. Najua Diba më pas themeloi kishën Emanuel në Kamëz, një bashkësi e përkushtuar që vazhdon të ndjekë Krishtin dhe të jetë dritë për komunitetin.
Në një intervistë të dhënë për programin Familja 7 në TV 7, Najua ka thënë: “Ne mund tu mësojmë shumë gjëra njerëzve po gjëja më e rëndësishme është që ata të kthehen tek Zoti me të vërtetë, sepse pa Krishtin ata janë të humbur në këtë botë!”
Vargu i saj i preferuar thotë: “Në qoftë se ju jeni ringjallur me Krishtin, kërkoni ato që janë lart, ku Krishti është ulur në të djathtë të Perëndisë. Kini në mend gjërat që janë atje lart, jo ato që janë mbi tokë, sepse ju keni vdekur dhe jeta juaj është fshehur bashkë me Krishtin në Perëndinë.”
Najua Diba u nda nga kjo jetë për t’u bashkuar përgjithmonë me Zotin e saj. Faleminderit Najua Diba që jetove me besnikëri Ungjillin, që ndave me ne dashurinë e Krishtit dhe e deshe popullin tonë pa kushte! Dhe Zoti i saj i tha: “Të lumtë, shërbëtore e mirë dhe besnike; hyr në gëzimin e Zotit tënd”. Mateu 25:23