Në botën stresuese dhe të trazuar në të cilën jetojmë, mund të duket e vështirë për ne të gjejmë diçka për të cilën duhet të jemi mirënjohës. Por pavarësisht si është jeta jonë ose situatat rreth nesh, ne duhet të jemi mirënjohës dhe të kemi një zemër falenderuese ndaj Zotit, për bekimet dhe mirësinë që ai tregon ndaj nesh çdo ditë.
Për të diskutuar për mirënjohjen, rëndësinë e saj dhe atë se çfarë thotë fjala e Zotit për mirënjohjen, i ftuar në programin “Zgjohu Pozitiv”, në Radio 7 ishte pastori dhe mësuesi i biblës, Edmond Lamnica.
Pastori Lamnica u shpreh se mirënjohja është virtyt që i shkon për shtat përulësisë dhe është qëndrimi i një zemre joegoiste.
“Mirënjohja është viryt që i shkon për shatat përlulësisë, është reagimi i dikujt që nuk është egoist. Nëse dikush është mirënjohës ndaj Perëndisë, atëherë ai di të dallojë ndihmën dhe asistencën që Perëndia i ka dhënë. Nuk mund të vazhdosh të pranosh nga Perëndia apo nga njerëzit nëse nuk vlerëson atë që merr, nëse nuk je mirënjohës , falenderues, nderues ndaj veprës së mirësisë së Perëndisë dhe njerëzve”.
Më tej, ai shton se mirënjohja i hap rrugën bekimit dhe favorit të pamerituar të Perëndisë, ndërsa mosmirënjohja e mbyll rrugën e bekimit.
“Njeriu duhet ta fillojë me gjërat e vogla sepse besnik në të vogla besnik edhe në të mëdha. Nëse nuk je besnik në të vogla, nuk je besnik as në të mëdha. Të dallosh gjërat e vogla që Perëndia i bën dhe të jesh falenderues për gjërat e vogla. Ndërkohë që e bën këtë gjë, ajo do të trajnojë ty që të jesh mirënjohës pastaj në çdo fushë të jetës edhe në gjëra të mëdha. Kjo gradualisht do të bëhet pjesë e mënyrës se si ne jetojmë, e stilit tonë të jetesës dhe ka benefite të mëdha. Kur je mirënjohës ndaj dikujt e motivon atë individ të vazhdojë të jetë zemërmirë me ty. Kur ti je mirënjohës ndaj Perëndisë, atëherë e mundëson Perëndinë të vazhdojë të bëjë gjëra të mira për ty. Mosmirënjohja i mbyll rrugën bekimit, kurse mirënjohja i hap rrugën bekimit, i hap rrugën favorit të pamerituar të Perëndisë. Bibla thotë jini mirënjohës”.