Unë kërkova midis tyre një burrë që të ndërtonte një mur dhe t’i dilte për zot vendit, që unë të mos e shkatërroja, por nuk e gjeta. (EZEKIELI 22:30)
Boshllëku është një hapësirë midis dy gjërave; ai nuk lejon që dy objekte, dy hapësira, dy subjekte ose dy njerëz të bashkohen me njëri – tjetrin. Kur predikoj në shtete të huaja, ka një boshllëk mes meje dhe audiencës. Mund të jetë një boshllëk fizik nëse qëndroj në një platformë; mund të ekzistojë një boshllëk kulturor, por mua më shqetëson më shumë boshllëku gjuhësor. Nëse dua që njerëzit të më kuptojnë, më nevojitet një përkthyes, dikë që të qëndrojë në boshllëkun gjuhësor për mua, në mënyrë që ta përcjell mesazhin me efektivitet. Përkthyesi duhet të punojë për mua që hapësira të eliminohet dhe njerëzit të kuptojnë atë që po them.
Ezekieli 22:29-31 flet për qëndrimin në boshllëk (t’i dalësh për zot). Vargu i sotëm gjendet në këtë pasazh dhe është një nga deklaratat më të trishta në Bibël. Në të, Perëndia, në thelb, po thoshte, “Kisha nevojë për dikë që të lutej dhe nuk gjeta askënd për këtë, ndaj mu desh ta shkatërroja vendin.” Gjithçka për të cilën kishte nevojë ishte një person që të lutej dhe gjithë toka mund të ishte kursyer. A e sheh se sa e rëndësishme është ndërhyrja? Vetëm një person mund të sillte ndryshim në të gjithë vendin dhe ta shpëtonte përmes lutjes! Ne duhet të jemi të gatshëm për t’u lutur; ne duhet të jemi të ndjeshëm në rastet kur Fryma e Shenjtë na udhëzon të ndërhyjmë dhe duhet t’i bindemi. Ne nuk e dimë kurrë se kur lutja jonë mund të jetë ajo që nevojitet për të mbushur boshllëkun (për t’i dalë për zot vendit) dhe si rezultat të sjellë fuqinë e Perëndisë në një situatë të pashpresë.
FJALA E PERËNDISË PËR SOT: Thuaji Perëndisë se je gati të lutesh për të tjerët dhe vepro kështu kur Ai të të vendosë në zemër njerëz të ndryshëm.