Të gjithë jemi të etur të përjetojmë dashurinë e vërtetë biblike. Përgjithësisht të gjithë mësuesit e Biblës na thonë se vetëm kur të mësojmë të duam veten do jemi në gjendje të hapim zemrat tona për të marrë dashurinë hyjnore. Por në fakt është e kundërta. Ne vijmë te Krishti kur kuptojmë se nuk jemi asgjë pa Perëndinë dhe se, edhe në gjendjen tonë mëkatare, Krishti vdiq për ne. Personi që e do veten shumë nuk mund ta gjejë Zotin sepse nuk sheh ndonjë nevojë për të.
Nuk mund t’a gjesh dashurinë e vërtetë veçmas nga Perëndia dhe për ndjekësin e Krishtit, dashuria nuk është selektive. Kjo,për shkak se dashuria e Perëndisë rrjedh nga natyra e Tij. Ashtu siç Gjoni shkroi, “Perëndia është dashuri” (1 Gjonit 4:8). Karakteri i tij përcaktohet nga dashuria. Perëndia ka zgjedhur që para krijimit se Ai do ta dojë krijimin e Tij.
Në asnjë moment Zoti nuk thotë: “Të dua sa herë që është e përshtatshme. Të dua kur je mirë. Të dua për sa kohë që premton se do të përpiqesh më shumë.” Dashuria e Perëndisë është e vazhdueshme, e pandryshueshme – nuk varet nga performanca jonë. Dashuria e tij është sakrifikuese, gjithmonë synon të nxjerrë anën tonë më të mirë.
Dashuria e Zotit nuk ndryshon kurrë. Ai na do edhe kur jemi rebelë dhe të pabindur, kur i kthejmë shpinën dhe refuzojmë t’ia kthejmë dashurinë. Ai na do dhe pikë. Ai na do sepse kjo është zgjedhja e Tij. Zoti eshte dashuri.
Jezusi tha në vargun më të famshëm të Dhiatës së Re: “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që kushdo që beson në të të mos humbasë, por të ketë jetën e përjetshme” (Gjoni 3:16). Në këtë varg nuk tregohet se çfarë Ai përfiton apo se si ne të jemi të denjë për dashurinë e Perëndisë. I gjithë motivimi dhe shtysa janë nga ana e Zotit.
Vlerësimi ynë për dashurinë e Perëndisë do të rritet kur të kuptojmë se dashuria e Tij nuk është fallco apo e lirë. Kur Zoti i tha njerëzimit: “Të dua”, Ai hoqi dorë nga gjithçka që ishte më e çmuar për Të. Ai tregoi mrekullisht dashurinë e Tij duke paguar çmimin për mëkatin tonë dhe ai çmim ishte vdekja e Birit të Tij.
Merrni një moment dhe lëreni veten të pushtoni në dashurinë e pakushtëzuar të Perëndisë. Lavdërojeni Atë që ju do edhe kur ishit armiq me Të.
Lutje: Zot, Ti je me të vërtetë dashuri. Faleminderit për priviligjen që na ke dhënë të të duam ty dhe të tjerët, sepse ti na ke dashur i pari (1 Gjonit 4:19). E di që dashuria jote nuk do të dështojë dhe shterojë kurrë. Faleminderit, At i dashur, për gjithë dashurinë Tënde. Lutem në emër të Jezusit. Amen.
“[Ai] është Perëndia besnik që respekton besëlidhjen e tij dhe tregohet i mbarë deri në brezin e njëmijtë ndaj atyre që e duan dhe që zbatojnë urdhërimet e tij,” (Ligji i Përtërirë 7:9).